Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, u shpreh e tronditur nga vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy personave brenda sallës së gjykatës.
Ajo thekson se Policia e Shtetit ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe autorët janë ndaluar.
Sipas saj, policia nuk ka përgjegjësi ligjore për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave, por ekspertët dhe prokurorët po hetojnë me rigorozitet rrethanat dhe detyrimet e punonjësve të sigurisë në gjykatë.
Reagimi i ministres së Brendshme, Albana Koçiu:
Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës.
Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.