Tre persona janë arrestuar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit teksa ushtronte detyrën e tij.
Të arrestuar janë, autori i ngjarjes Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi si dhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e së hënës, ku 30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin pasi mori vendim kundër xhaxhait të tij. Ai qëlloi me armë edhe ndaj palës kundërshtare në gjyq, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj.
Autori ishte në sallën e gjyqit duke ndjekur seancën për një pronë në Shkodër, ku palë e tretë e interesuar, ishte xhaxhai i tij i pranishëm në sallë, Gjon Shkambi, i cili e pretendonte atë prej shumë vitesh. Ai e mbante armën pranë vetes. Sapo gjyqtari Astrit Kalaja mori vendim në favor të paditësve dhe jo xhaxhait të tij, e përdori kundër tij.
Pas vrasjes, Elvis Shkambi doli te dera e Gjykatës së Apelit, dhe iu dorëzua patrullës së policisë duke pranuar autorësinë: Unë jam autori.
Pikëpyetje të mëdha kanë lindur për masat e sigurisë në gjykatë, se si hyri brenda Gjykatës së Apelit në sallë gjyqi një person i armatosur. 30-vjeçari Elvis Shkambi u fut në gjykatë nga dera ku hyjnë qytetarët, të cilët kalojnë përmes një detektori, i njëjtë si në aeroporte. Por, pavarësisht gjendjes, prej javësh dedektorët në Gjykatën e Apelit nuk funksiononin dhe mesa duket as dedektori i dorës apo një kontroll i thjeshtë fizik nuk ka arritur të pikasë armën e fshehur nga autori.
Sherri për pronën, motiv i vrasjes
Objekt i vrasjes dhe konfliktit është godina e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen “Skanderbeg”. Në këtë ndërtesë janë strehuar 31 familje që në vitin 1992. Por në vitin 2012, Gjon Shkambi shfaqi pretendime për pronën me argumentin se është pasuri e trashëguar brezë pas brezi.
Siç rezulton, 31 familjet u strehuan në këtë godinë 33 vite më parë nga Bashkia e Shkodrës. Por banorët thonë se Gjon Shkambi që pretendon pronësinë mbi ndërtesën, ka dokumente false.
Çështja u komplikua në vitin 2012, kur Bashkia e Shkodrës firmosi shitjen e godinës te Gjon Shkami. Sipas banorëve, kryebashkiaku i Shkodrës në atë kohë, Lorenc Luka, i dha Gjon Shkambit dokument privatizimi pa vendim të këshillit bashkiak.
Në vitin 2020, 31 familjet u përplasën për herë të parë me zyrën private të përmbarimit. Që atëherë, çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë.
Shkak për ngjarjen është bërë godina e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen ‘Skandërbeg’ të Shkodrës, të cilën Gjon Shkambi e prentendon se është pronë e tij. Pala kundërshtare në gjyq janë familjet që banojnë në atë ndërtesë, të cilët thonë se aty i ka vendosur shteti dhe se ajo godinë nuk i përket privatit. Vendimi i gjyqtarit Kalaja u dha në favor të banorëve, duke revoltuar nipin e Gjon Shkambit, i cili nxorri armën dhe qëlloi për vdekje gjyqtarin.