Në hollin e Pallatit të Kongreseve po zhvillohen homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja. Gjyqtari Kalaja u qëllua për vdekje dy ditë më parë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit gjatë kohës që po ushtronte detyrën.
Një ngjarje e rëndë kjo jo vetëm për drejtësinë, por dhe për shtetin shqiptar, një skenë krimi që nxori në pah të metat madhore të sistemit ligjor si dhe të sigurisë në vend.
Homazhet nisën në orën 09:00 dhe pritet të përfundojnë në orën 11:00. Figura e Astrit Kalasë do të nderohet nga figura shtetërore, kolegë, miq e familjarë, të cilët do t’i japin sot lamtumirën e fundit.
Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, Astrit Kalaja do t dërgohet në qytetin e lindjes, në Shkodër në orën 14:00-16:00 ku dhe do të prehet në paqe.
Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, xhaxhai i të cilit, Gjon Shkambi ishte palë në gjyqin që po zhvillohej për një çështje pronash. Të plagosur gjithashtu mbetën dhe babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë e tretë në këtë çështje.