Pas blerjes së dronëve, Vuçiq tha se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor, kurse autoritetet në Kosovë, shprehen, se Turqia po i ndihmon Kosovës të ruajë paqen.
Autoritetet më të larta të Serbisë, si ato politike dhe ushtarake reaguan ashpër pasi Kosova bleu nga Turqia disa ‘mijëra’ dronë kamikazë lufte të tipit Skydagger. Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë janë të trajnuar për përdorimin e tyre në rast nevoje. Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha se “këta dronë kamikazë, të njohur edhe si FPV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger, të prokuruar nga ne, janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”. Sipas tij, me blerjen e këtyre dronëve, Kosova po vazhdon “ta ngrejë dhe shtojë fuqinë goditëse të ushtrisë”.
Vuçiq: Turqia ka shkelur Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij reagoi ashpër për blerjen e këtyre dronëve nga Kosova dhe kritikoi Turqinë, duke thënë se “është i tmerruar nga sjellja e këtij vendi” dhe konsideroi se Turqia “e ka shkelur Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.
“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, shkroi Vuçiq në X.
Vetëm pak më vonë, nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë thanë se pas dërgimit të dronëve turq në Kosovë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, ka telefonuar komandantin e trupave të NATO-s, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, duke shprehur “protestë të ashpër kundër vazhdimit të armatosjes së Kosovës”.
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm theksoi se veprime të tilla përbëjnë një sinjal shumë negativ dhe rrezikojnë jo vetëm sigurinë në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger vijnë në Kosovë
Kosova pranoi të mërkurën (08.10.2025) disa kontejnerë “me mijëra dronë” luftarakë kamikazë Skydagger, të prodhuar nga kompania turke Baykar. Dronët Skydagger RTF janë dronë “të gatshëm për fluturim”, dronë luftarakë të pajisur me një mjet shpërthyes për përdorim kundër shënjestrave të palëvizshme dhe të lëvizshme. Kosova ka blerë në vitin 2023 edhe një flotë tjetër të dronëve turq Bayraktar. Në fund të vitit të shkuar, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me Turqinë për të ndërtuar fabrikën e saj të parë të municioneve. Në shtator, FSK-ja pranoi dronë modeli RQ-20 Puma LE, të blerë edhe nga SHBA-ja, ndërsa më 2024 paraqiti kërkesë po në SHBA për të blerë edhe 200 raketa antitank Javelin, dhe tani është në proces të pagesës.
Vitet e fundit, Kosova e ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes, kurse këtë vit ka arritur shifrën e shpenzimeve për mbrojtjen në 207.8 milionë euro. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) aktualisht është në proces të transformimit në ushtri, proces ky që filloi në vitin 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet. SHBA-ja e mbështet transformimin e FSK-së në ushtri, ndërsa NATO ende është kundër dhe këmbëngul që FSK-ja duhet t’u përmbahet detyrave të saj të mëhershme, që janë reagimi ndaj fatkeqësive natyrore ose mbrojtja civile. /DW