Mazhoranca qeverisëse ka votuar dje projektligjin“Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, duke iu prerë shpresat të “djegurve” të vetingut që të ushtrojnë këtë profesion. Pak ditë më parë deputetët Taulant Balla, Ulsi Manja dhe një sërë deputetësh të tjerë të Partisë Socialiste propozuan një amendament që gjyqtarët dhe prokurorët që ngelin dhe shkarkohen nga vetingu, të mos kenë të drejtën që të ushtrojnë edhe profesionin e avokatit, ndryshe nga sa propozoi Komisioni i Ligjeve.
Ndërkohë që dje shumica parlamentare me 75 vota ka votuar ligjin në fjalë. Mirëpo, miratimi i ligjit për avokatët duke se ka shkaktuar edhe përplasjen e parë në radhët e Partisë Socialiste dhe jo vetëm. Protagonistë u bënë deputeti socialist, Spartak Braho dhe deputetja e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Elena Xhina, e cila tanimë edhe pse jo zyrtarisht është rreshtuar krah mazhorancës.
Ata dhanë votën kundër amendamentit të propozuar nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Ndërkohë që ligjin në tërësi e votuan pro. Megjithatë, qëndrimin e tij, sa i takon amendamentit të propozuar nga Balla, Braho e komentoi shkurtimisht nga vendi.
Gjatë fjalës së tij, ai e etiketoi ligjin e ri si një lustracion, pasi sipas tij, meqenëse ka kufizime për gjyqtarët dhe prokurorët që ngelin në veting, këtë të fundit duhet të kufizohen që të mos ushtrojnë profesionin edhe në një sërë profesionesh të lira siç janë përmbaruesit, etj. Nga ana tjetër, miratimin e ligjit për avokatinë e komentoi dje edhe vetë kreu i grupit të PS, Taulant Balla. Balla u shpreh se do i drejtohemi me një shkresë edhe Komisionit të Venecias nëse shkelen të drejtat e njeriut pas vendimit për të përjashtuar të përjashtuarit nga vetingu. “Edhe ligji që votuam për avokatinë dhe amendamenti i propozuar nga unë dhe Manja është hap i rëndësishëm drejt garantimit të moralit dhe pastërtisë së atyre.
Amendamenti garanton që personat që kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe largohen nga vetingu për një kohë të caktuar nuk mund të punojnë si avokatë. Do të marrim në kohë edhe një vlerësim nga Komisioni i Venecias”, deklaroi ai. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve u shpreh se shumica ndryshoi qëndrimin, duke miratuar një ligj që ndalon të djegurit e vetingut që të bëhen avokatë, pasi reflektoi. “Unë jam propozues i amendamentit. Këtu është epërsia e kësaj mazhorance, reflektimi. Ne dëgjojmë zërin e qytetarëve”, deklaroi ai.
Votohet ligji për asistencën sociale
Seanca miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”, ratifikuar me ligjin nr. 86/2015”; projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit.” Ndërsa, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e kolektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale”, u miratuan me 76 vota pro. /Rigels Seliman