James Imam/ The Times
Me shtatin e tij imponues dhe gjestet plot ngjyra, ai është bërë tashmë i njohur në qarqet evropiane — tani, kryeministri shqiptar ka siguruar një rol të ri me një galeri në Berlin.
Si kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë, Edi Rama ka fituar një reputacion global për udhëheqjen e tij karizmatike, ndonëse të pazakontë. Ai është ngjitur në majën e politikës shqiptare pas një periudhe si basketbollist profesionist dhe ka treguar një lloj teatraliteti që ka bërë që edhe liderë botërorë, si kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të skuqen.
Tani, është pikërisht puna e tij si artist që ka kaluar në qendër të vëmendjes, pasi një galeri e madhe gjermane ka nënshkruar marrëveshje për të promovuar artin e tij.
Galeria Société në Berlin njoftoi se i ka shtuar Ramën, i cili ka ekspozuar tre herë në Bienalen e Venecias, në listën e saj prej rreth njëzet artistësh. Udhëheqësi socialist 61-vjeçar do të prezantojë akuarelet e tij të gjalla dhe punimet prej qeramike me degëzime bronzi në formë koralesh në Frieze London dhe Art Basel Paris këtë vjeshtë, ndërsa në prill të vitit të ardhshëm pritet një ekspozitë personale në Berlin.
Për mbështetësit e tij, ky nënshkrim është një shpërblim i merituar për njeriun që revolucionarizoi artin shqiptar, duke hapur një rrugë të re përtej realizmit socialist të zymtë dhe duke përfaqësuar rilindjen postkomuniste të vendit. Por për kundërshtarët, është një manovër ndërkombëtare e marrëdhënieve me publikun për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e korrupsionit që kanë shoqëruar 12 vitet e tij në pushtet.
Rama u formua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku më vonë dha mësim si profesor, dhe kaloi disa vite në Paris përpara se të ekspozonte në Qendrën Pompidou, si edhe në SHBA, përfshirë New York-un.
Artisti dhe kritiku bashkëkohor shqiptar Oltsen Gripshi, i cili botoi vitin e kaluar një libër mbi artin e Ramës, e përshkruan veprën e tij si neo-ekspresioniste dhe të frymëzuar nga Kandinsky.
“Ai revolucionarizoi mënyrën si e shohim realitetin,” tha Gripshi për The Times. “Nuk mund ta ngatërroni me asnjë artist tjetër — do ta njihnit nga kilometra larg.”
Rruga e Ramës ndryshoi drejtim kur ai u kthye në Shqipëri në vitin 1998 për të shërbyer si ministër kulture. Dy vjet më vonë u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare kur lyu fasadat gri të pallateve komuniste me ngjyra të forta.
Megjithatë, ai kurrë nuk reshti së vizatuari — vizatonte gjatë takimeve me zyrtarë e personalitete dhe krijonte qeramika në studion e një miku në Tiranë, në kohën e lirë.
Edhe pse arti ka qenë shpesh hobi për liderë botërorë — George W. Bush pikturoi veteranë, Winston Churchill krijoi peizazhe, e Francisco Franco bënte vizatime hiperrealiste — për Ramën, ai është pjesë thelbësore e procesit të tij të mendimit.
“Ai e bën ndërsa punon, dhe pothuajse ka nevojë ta bëjë që të punojë,” tha Julia Ballantyne-Way, galeristja e Société. “E thotë shumë hapur se është dëgjues më i mirë dhe ndihet nervoz kur nuk ka një stilolaps në dorë.”
Ballantyne-Way e quajti Ramën një shtesë unike në listën e galerisë, duke theksuar se “ne nuk kemi asnjë artist tjetër që është edhe politikan”. Ajo shtoi se “koha dukej e përshtatshme” për ta nënshkruar, pas një ekspozite mahnitëse në Paris vitin e kaluar.
Ekspozita e Berlinit do të përmbajë rreth shtatë vepra të papublikuara më parë, përfshirë edhe skulpturën e parë në natyrë të Ramës, me fokus në veprat prej bronzi dhe qeramike.
Ndërkohë, angazhimet e tij artistike mund t’i shërbejnë si një arratisje e mirëpritur nga presioni politik në rritje. Në shkurt, organi më i lartë i mbikëqyrjes gjyqësore në Shqipëri e akuzoi atë për ndërhyrje në pavarësinë e drejtësisë pasi kritikoi autoritetin antikorrupsion për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një aleat i ngushtë, për akuza korrupsioni.
Tre muaj më pas, Rama fitoi një mandat të katërt historik me premtimin për të futur Shqipërinë në BE deri në vitin 2030. Ai tërhoqi sërish vëmendje disa ditë më vonë kur u gjunjëzua para Giorgia Melonit, e cila kishte hapur dy qendra emigrantësh në Shqipëri në vitin 2023, dhe i përkuli dorën në tapetin e kuq gjatë samitit të BE-së në Tiranë.
Artisti dhe kritiku Armando Lulaj, një kundërshtar i kahershëm i Ramës, e quajti artin e kryeministrit “një manovër PR për të lëmuar imazhin e tij”, duke e akuzuar se shtyp zërat kritikë në art përmes mungesës së fondeve publike.
“Ai e përdor artin për t’i bindur të huajt se është një majtist i sofistikuar, që ndihet rehat në sallonet intelektuale,” tha Lulaj.
Ndërsa komentatori politik Ermal Hasimja shtoi:
“Atij i pëlqen të shihet si artist… dhe i pëlqen të tërheqë vëmendje.”
Por Ballantyne-Way hodhi poshtë sugjerimet se arti i Ramës është pjesë e një menaxhimi imazhi, duke i quajtur “nonsens”.
“Ai ka qenë fillimisht artist dhe më pas hyri në politikë, jo anasjelltas,” tha ajo. “Ai është vërtet një artist që rastësisht vazhdon të bëjë art ndërsa merret me politikë.”