Opozita në Shqipëri është nga të rrallat në botë, e cila, edhe pse ka 13 vite që vetëm humbet zgjedhjet, sërish nuk gjen forcë për t’u vetëpërmirësuar dhe vetërregulluar. Në vend që të reflektojë dhe të sillet si çdo pakicë, ajo sillet sikur të ishte shumicë dhe sikur të ketë fituar zgjedhjet.
Jo vetëm në ato që thotë dhe artikulon, por edhe në ato që propozon.
Ndonëse është opozita më e vogël që ka njohur në vitet e fundit parlamentarizmi në Shqipëri, që nga nisja e sesionit të ri parlamentar nuk kanë lënë njëri pa shkarkuar.
Kanë shkarkuar Kryeministrin, kanë shkarkuar Kryetarin e Kuvendit, kanë shkarkuar të gjithë ministrat, madje dhe nja 2-3 që i kishin shpëtuar, i shkarkuan në mbledhjen e fundit. Pasi mbaruan me qeverinë dhe parlamentin, shkarkuan Dumanin e SPAK-ut, duke i kërkuar llogari pse nuk i kthente në akuza paranojat e tyre. Veç tij, nuk kanë shpëtuar pa shkarkuar edhe nja dy a tre gjyqtarë që të GJKKO-së. Pasi mbaruan me drejtësinë, u kthyen nga Presidenti, duke i kërkuar llogari pse nuk bën ditën rolin e kreut të shtetit dhe natën të bësh kulla, siç bëjnë ata ditën opozitën dhe natën marrin leje ndërtimi, por pse ushtron ditën rolin e Presidentit dhe natën punon si mjek.
Kështu që e shtuan edhe Presidentin në listën e të shkarkuarëve.
Me këtë zell që e ka marrë opozita në Shqipëri këtë punën e shkarkimit, duket sikur të vetmin rival kanë kryeministrin e qeverisë hije, profesor Pilinçin, me të cilin mund të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme, sepse këtyre edhe kur iu jepet mundësia për të kandiduar sërish zgjedhin të bojkotojnë dhe të fshihen pas kandidatëve jopartiakë./nl/TemA