Pezullimi i dekretit të Bajram Begajt për zgjedhjet në Tiranë ka çuar në përplasje mes Presidencës dhe Gjykatës Kushtetuese. Institucioni i kreut të shtetit e quan arbritraritet pezullimin e dekretit dhe i kërkon kushtetueses ta heqë dhe të shpallë zgjedhjet në Tiranë.
***
Gjashtë ditë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Bajram Begajt, përmes të cilit ai shpallte 9 nëntorin datën e zgjedhjeve të reja në kryeqytet pas shkarkimit të Erion Veliaj nga Këshilli i Ministrave, Presidenca i kërkon Kushtetueses ta heqë pezullimin dhe të ridërgojë Tiranën në votime.
LEXO EDHE:
Dekreti për zgjedhjet në Tiranë/ Alibeaj: Begaj s’duhej ta kishte nxjerrë! Arbër Hoxha: Presidenti shkeli Kushtetutën! Tafani: Duhet të largohet
Në parashtrimet që Presidenca i dërgon gjykatës, e quan antikushtetues dhe arbitraritet vendimin e Gjyqtarëve për të pezulluar dekretin.
“Nuk ka asnjë shpjegim logjik dhe të arsyeshëm që të bindë palët e përfshira për faktin pse Gjykata Kushtetuese ka injoruar tërësisht aktet zyrtare të disa organeve shtetërore dhe qëndrimin e tyre të qartë se shkarkimi nuk bëhej në bazë të nenit 115 të Kushtetutës, por në bazë të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 dhe ka nxituar të marrë përsipër kompetencën, pa analizuar bazën ligjore të shkarkimit dhe pa e dokumentuar këtë analizë. Gjykata Kushtetuese ka kapërcyer kufijtë e kompetencave që i njeh Kushtetuta. Ky vendim i mbledhjes së Gjyqtarëve është antikushtetues dhe duhet të korrigjohet menjëherë“.
Kushtetuesja, thotë Presidenca, nuk ka asnjë tagër mbi dekretet e Begajt.
“Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë një akt administrativ, mbi të cilin nuk ka juridiksion, për shkak se nuk ka ditur si të pengonte veprimin e tij. Ky është arbitraritet i patolerueshëm për një sistem që vepron mbështetur në parimet e shtetit ligjor“.
Ekipi ligjor i Presidencës shkon edhe më tej, duke thënë se Kushtetuesja mund të kishte pezulluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, e në këtë mënyrë, vlera e dekretit do të shuhej automatikisht, pasi nuk do të kishte vakancë.
“Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm e të logjikshëm për faktin pse Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur sot e kësaj dite pezullimin e VKM-së nr. 539, datë 25.9.2025, për të cilin vlerësonte se është kompetente, por ka vendosur pezullimin e një akti të Presidentit të Republikës që rrjedh nga VKM-ja nr. 539, datë 25.9.2025, për të cilin qartazi nuk ka asnjë kompetencë“.
Motivi që e ka çuar Gjykatën Kushtetuese drejt këtij vendimi, Presidenca thotë se është i pashpjegueshëm duke ngritur pretendimin se po synon të krijojë konflikt kushtetues.
“Presidenca Gjykatës Kushtetuese i ndalohet kategorikisht nga Kushtetuta që me aktet e veta të krijojë konflikte, të destabilizojë rendin kushtetues apo të minojë ushtrimin e ligjshëm të kompetencave nga ana e organeve të tjera kushtetuese. Ndërhyrja në kohën e duhur, në përputhje të plotë me vullnetin e saj, por pa ngritur kurthe ndaj Presidentit dhe organeve të tjera, është përgjegjshmëri kushtetuese. Në këtë rast, kjo përgjegjshmëri i ka munguar kësaj gjykate në mënyrë flagrante. Motivi që e ka shtyrë Gjykatën në këtë sjellje është i pashpjegueshëm me arsye që pranohen nga logjika“.
Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakoshme të Tiranës.
Vendimi i Kushtetueses erdhi pas ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkoi që Dekreti i Presidentit të shpallej i paligjshëm, pasi shkarkimi i tij tashmë është një cështje në duart e kësaj Gjykate.
Më 31 tetor, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën e parë publike për të shqyrtuar shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt nga Qeveria, me propozimin e Këshillit Bashkiak.
Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:
1. Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
2. Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
3. Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
4. Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.