Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump të premten në Uashington, në një kohë kur Trump po shqyrton mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa të avancuara Tomahawk, të afta për të goditur objektiva në thellësi të territorit rus, raporton BBC.
Takimi mes dy liderëve vjen vetëm një ditë pasi Trump deklaroi se kishte bërë “përparim të madh” gjatë një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas Trump, ata kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim ballë për ballë në Hungari.
Duke folur për mediat, Trump tha se telefonata me Putinin ishte “shumë produktive”, dhe shtoi se ekipe nga Uashingtoni dhe Moska do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme.
Ndërkohë, Zelensky, i cili ndodhet për herë të tretë në SHBA që nga janari, u shpreh se Moska “nxiton të rifillojë dialogun sapo dëgjon për Tomahawk-ët”. Presidenti ukrainas ka kërkuar nga SHBA furnizimin me këto raketa me rreze të gjatë veprimi, që kapin deri në 2,500 km (rreth 1,500 milje).
I pyetur më herët gjatë javës nëse do të miratonte dërgimin e raketave Tomahawk në Ukrainë, Trump u shpreh: “Do të shohim… mundet.” Por, pas bisedës me Putinin, ai u tërhoq disi, duke thënë: “Nuk mund të pakësojmë rezervat tona të Tomahawk-ëve. I duhen edhe SHBA-së… kështu që nuk e di çfarë mund të bëjmë për këtë.”
Në një postim në platformën e tij Truth Social, pas përfundimit të telefonatës me Putinin, Trump shkroi se kishin folur gjatë për tregtinë mes Rusisë dhe SHBA-së “kur të përfundojë lufta në Ukrainë”. Ai njoftoi se “këshilltarë të nivelit të lartë” nga të dy vendet do të takohen javën e ardhshme në një vend të pacaktuar, me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, që do të kryesojë delegacionin amerikan.
Trump tha gjithashtu se do ta informojë Zelensky-n për përmbajtjen e bisedës me Putinin gjatë takimit të tyre të premten dhe shtoi: “Besoj se u bë një përparim i madh në bisedën e sotme telefonike.”
Në vijim, ai deklaroi për gazetarët se pret të takohet personalisht me Vladimir Putinin në Hungari “brenda dy javësh”.