Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin “Summer storm”, ku janë sekuestruar 200 kg lëndë narkotike marjuanë, 4 litër vaj hashashi dhe 1 armë zjarri.
Gjatë operacionit me metoda proaktive nga Sektori për hetimin e krimeve në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë janë arrestuar 4 persona si posedues të tyre.
Të dyshuarit u arrestuan në flagrancë në aksin rrugor Fushë Krujë – Mamurras.
Njoftimi i policisë:
Sektori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme, pas një pune operacionale dhe profesionale të mirëorganizuar, të ndjekur me metoda proaktive për një periudhë kohore disa javore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Summer storm”.
Si rezultat i tij u sekuestruan:
– 200 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë
– 4 litër vaj hashashi
– 1 armë zjarri pistoletë me 7 fishekë
– 2 automjete
– 4 celularë
Të kapur në flagrancë bashkë me sekuestrot e lartpërmendura në aksin rrugor Fushë Krujë – Mamurras, u arrestuan shtetasit:
– Tofik Koleci, 54 vjeç, banues në Krujë
– Miri ( Ardit) Koleci, 32 vjeç, banues në Krujë
– Mirand Qira, 42 vjeç, banues në Krujë
– Ndriçim Doku, 39 vjeç, banues në Krujë
Vazhdon puna për evidentimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë për ndjekje të mëtejshme për veprat penale ” Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike’ kryer në bashkëpunim” dhe ” Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga nenet 283/2-25 dhe 278 të Kodit Penal.
Policia e Shtetit fton çdo qytetar të telefonojë në numrin falas 112, duke denoncuar apo ofruar të dhëna që ndihmojnë në goditjen e paligjshmërisë dhe kriminalitetit në vend.