Avokati Ulian Barjami është arrestuar këtë të shtunë, pasi ka kërcënuar një prokuror gjatë një seance gjyqësore.
Ngjarja ndodhi gjatë seancës ndaj Maksim Lika, i njohur edhe me nofkën “Suci”, të cilin Barjami e përfaqësonte ligjërisht.
Maksim Lika është ndaluar më herët gjatë një aksioni blic të zhvilluar në Elbasan dhe dyshohet për lidhje me personazhe të botës së krimit, përfshirë Emiljano Shullazin.
Reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë
Për ngjarjen ka reaguar edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë që ka dënuar me forcë arrestimin e avokatit Ulian Barjami nga Policia e Elbasanit.
Dhoma e Avokatisë thotë se sipas tyre, rezulton se një përballje e armëve të barabarta në sallën e gjykimit, sipas ligjit, ka përfunduar në një abuzim të atributeve të prokurorit, duke mos pranuar debatin gjyqësor, por duke urdhëruar prangosjen e avokatit Ulian Barjami.
Reagimi i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë:
“Kemi të bëjmë me arrestimin e avokatit për shkak të deklarimeve të tij në kuadrin e mbrojtjes në sallën e gjyqit, duke u trajtuar deklarata e tij — se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit — si kanosje dhe kundërshtim i prokurorit.
Ngjarje kjo e paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit.
Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”, deklaroi kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia
Rrethanat e ngjarjes sipas versionit të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë:
“Dje, më datë 17.10.2025, është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Maksim Suçi etj., seancë e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka.
Avokati mbrojtës i shtetasit Maksim Suçi, avokat Ulian Barjami, pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, deklaroi se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, pasi procesverbali me shkrim i sjellë nga prokurori në gjykim përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”, dhe ndërkohë, i nervozuar, kthente kokën nga punonjësit e policisë prezentë në sallën e gjyqit.
Avokati Barjami replikoi duke deklaruar: “Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin.”
Për këto deklarime ndërhyri gjyqtarja Strakosha, e cila i sqaroi avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të fokusohej në interpretimin e provës në atë moment, pa u marrë me atë se çfarë do të bënte në vijim.
Seanca vijoi e qetë dhe përfundoi normalisht, pa asnjë debat apo diskutim mes palëve.
Prokurori Ceka nuk e la me kaq dhe, me sa duket, ka paraqitur kallëzim ndaj avokatit, me qëllimin në vetvete për ta arrestuar, ashtu siç deklaroi në seancë.
Mbi bazën e këtij kallëzimi, avokati Barjami është thirrur sot, më datë 18.10.2025, në orët e paradites nga oficerë të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, duke i thënë në telefon fillimisht se duhej të jepte vetëm disa sqarime.
Pas shumë orësh i mbajtur në komisariat, në orët e pasdites, rreth 15:00 – 15:30, punonjësja e policisë Zmeralda Mehilli ndalon me iniciativë avokatin Barjami si të dyshuar për veprat penale:
-“Kanosja për shkak të detyrës”,
-“Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit” dhe
-“Kanosja e gjyqtarit”, pasi sipas saj, ka kërcënuar prokurorin e çështjes, Gjergji Ceka, dhe oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprime hetimore.
Procesverbali është shkruar dhe nënshkruar nga OPGj-ja Mehilli, sikur është kryer shumë kohë më pas, në orën 17:40, ndërkohë që ndalimi realisht është kryer në orën 15:00”.
Kush është “Suci”
Maksim Lika (i njohur edhe si “Suci”) u arrestua në kuadër të operacionit policor “Fast”, në Elbasan më?13?tetor ?2025, së bashku me të paktën 10 persona të tjerë, pasi u kapën në një lokal pranë aksit Elbasan–Ish?Metalurgji. Ai po hetohet për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim me policinë, me tre pistoleta të sekuestruara gjatë ndërhyrjes dhe dyshohet të ketë qenë në shoqërim të një takimi biznesi që policia e konsideron të përfshirë në fushën e organizatave kriminale.