Nga Arbër Hitaj
“Çmendet drejtësia!”, më tha një koleg. E mora si shprehje emocionale, si reagim i ekzagjeruar ndaj realitetit që na rrethon. Por pastaj dëgjova audion e seancës për arrestimin e avokatit Uiliam Bajrami— dhe kuptova se nuk kishte asnjë teprim. Ishte një pasqyrë e zymtë e sistemit tonë gjyqësor, që shpesh sillet si pronar, jo si shërbëtor i ligjit.
Në këtë vend, flitet shumë për SPAK e GJKKO, për hetime të bujshme e dosje të mëdha. Por heshtet për gjykatat e rretheve, aty ku drejtësia shpesh është kthyer në farsë. Aty ku disa gjyqtarë e prokurorë sillen si të paprekshëm, ku arroganca e pushtetit të vogël është më e rrezikshme se korrupsioni vetë.
E keqja më e madhe është se abuzimi është bërë rutinë. Dosje që zvarriten me vite, vendime të padrejta që kalojnë pa asnjë reagim, njerëz që humbasin besimin se ligji mund t’i mbrojë. Dhe ndërkohë, sistemi hesht, shoqëria mbyll sytë, dhe çdo shkelje tjetër bëhet “normale”.
Por jo, mjaft është mjaft.
SPAK dhe GJKKO nuk mund të jenë alibia e një drejtësie që nuk funksionon. Nuk mjafton të pastroni majën e piramidës, kur baza është kalbur.
Ka ardhur koha për një reformë të vërtetë, që të mos kufizohet në emra e komisione, por të prekë çdo sallë gjyqi ku drejtësia abuzohet në emër të ligjit.
Askush — as prokuror, as gjyqtar — nuk mund të jetë mbi ligjin. Dhe çdo heshtje përballë këtij realiteti është bashkëfajësi.