Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafaj, në komisionet parlamentare, shprehën kritika ndaj performancës së KLP-së, duke vënë në pikëpyetje përmbushjen e rolit kushtetues dhe ligjor të institucionit. Manja kërkoi që KLP të ngrihet në nivelin që kërkon Kushtetuta, teksa paralajmëroi se nëse nuk ka reflektim, Kuvendi do të ndërhyjë, pa cenuar pavarësinë institucionale.
Pas një raportimi prej rreth 3 orësh, në 2 komisione parlamentare, të drejtueses së KLP-së, Mirela Bogdani, për raportin e vitit 2024, ku në pjesën më të madhe të pyetjeve u fol për gjëra teknike, kritikat dy kryetarët i lanë për në fund. Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafaj nuk hezituan të numërojnë të gjitha problemet që sipas tyre ka institucioni, në veçanti rregullorja, vlerësimi i performancës së prokurorëve dhe emërimet e drejtuesve në prokuroritë në rrethe.
“Nëse ju nuk reflektoni, do të jetë Kuvendi që nëpërmjet ndërhyrjeve ligjore, pa cenuar pavarësinë e asnjë organi të drejtësisë, do të ndërhyjmë. Do të kemi një rezolutë përpara se ju të raportoni në seancë plenare. Rezoluta, edhe pse jemi në përfundim të vitit 2025, do të gjejnë pasqyrim të gjitha shqetësimet dhe problematikat që ka KLP. Reflektimi i parë do të duhet ët vijë nga ju. Kur të raportoni vitin tjetër në këto komisione, do të duhet të ketë marrë zgjidhje problemi i rregulloreve, i vlerësimit të punës dhe performancës së prokurorëve dhe të jetë hapur diga për të operuar me sistemin e karrierës dhe emërimin dhe plotësimin e prokurorive të juridiksionit ët përgjithshëm me drejtues sepse këtë proces e keni bllokuar ju”,- tha Manja
Manja tha se pavarësia nga politika është e garantuar, por nuk po shoqërohet me funksionalitet të duhur nga ana e KLP-së.
LEXO EDHE:
Seanca paraprake për dosjen Veliaj në ‘rrezik’ nga bojkoti i avokatëve, GJKKO pritet të vendosë për kalimin ose jo për gjykim
“Këshilli i ka mekanizmat për të qenë distant nga politika, përse nuk funksionon këshilli, mesa kuptova unë ka të bëjë me protagonizmin e trupës së prokurorëve anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo duhej të ishte vlerë për Këshillin. Askujt më shumë se prokurorëve nuk i dhimbset sistemi sepse e kanë shtëpinë e vet. Këshilli do të duhet të ngrihet në nivelin e lartësisë që i kërkon Kushtetuta dhe Ligji, prokurorët dhe jo prokurorët në Këshill. Pse qenka e vështirë për të bërë vlerësimin e 218 prokurorëve që janë sot në sistem? Ka traditë gjyqësore dhe prokuroriale në këtë vend”,- tha Manja.
I pakënaqur me punën e KLP-së në këto vite është edhe Fatmir Xhafaj, i cili përveç kritikave se institucioni po sjell probleme për integrimin, kërkoi bashkëpunim me Kuvendin, për t’i mbështetur.
“I krijoni vendit një problem shumë të madh në procesi e integrimit sepse kritikat më të mëdha nga BE janë për këtë këshill. Është situatë e mbartur, por çfarë mbështetje kërkoni për aq sa mund të bëjë Kuvendi, para se Kuvendi të bëjë vetë një analizë se çfarë të bëjë me Këshillin’,- u shpreh Xhafaj.
Në përgjigjen e saj, drejtuesja e KLP-së, Mirela Bogdani, nuk ishte e gatshme të fliste publikisht mbi kritikat dhe kërkoi një mbledhje pa praninë e kamerave për të diskutuar mbi problematikat e institucionit që ajo drejton dhe më pas të ketë zgjidhje.
E pyetur për zgjedhjen kreut të Byrosë Kombëtare dhe SPAK, Bogdani tregoi fazën në të cilën ndodhet procesi.
Për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Bogdani tha se roli i KLP në këtë proces është formal, dhe vetëm pret emrin e përzgjedhur nga SPAK dhe komisioni i posaçëm për këtë qëllim, që ta emërojë.
“Ne jemi duke pritur nga Prokuroria e Posaçme që të sjellë propozimin për ta caktuar sipas ligjit. Ndoshta mund të jetë momenti që Këshilli të ketë një rol më aktiv të procedurës së ndjekur, por roli i Këshillit është vetëm formal. Ne e kemi diskutuar gjatë këtë dhe arritëm në përfundimin që nuk mund të dalim nga parashikimet e legjislacionit. Ne do të presim emrin nga SPAK dhe komisioni”,- tha Bogdani.
Për drejtuesin e SPAK, Bogdani tha se në vazhdim KLP do të vazhdojë me verifikim e platformave, profilit të tyre etj. Ndër të tjera, theksoi se KLP nuk po përballet me presion nga asnjë faktor për përzgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme.
“Unë e përmenda pak më pas për që kemi miratuar kushtet dhe kriteret formale për prokurorët që kanë aplikuar. Këshilli më pas do të vijojë me verifikimin e platformës, dosjeve që kanë sjellë, analizë dhe konkluzion përfundimtar në seancën dëgjimore, intervistën dhe votimin. Nuk ka presione”,- tha Bogdani.
Sa i përket arrestimit të avokatit Ulian Barjami në Elbasan, Bogdani tha se KLP ka kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit informacion më të detajuar lidhur me ngjarjen dhe më pas do të dalë me një qëndrim për rastin.
“Lidhur me avokatin e arrestuar në Elbasan, ne kishim një mbledhje sot dhe diskutuam në mënyrë informale, vendosëm që fillimisht të kërkojmë informacion dhe më pas do të qartësojmë qëndrimin. Nuk mund të shprehemi pa pasur një informacion të plotë të mënyrës se si kanë rrjedhur ngjarjet”,- tha drejtuesja e KLP.