Gjykata e Apelit të Posaçëm, ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ish kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shpalljen si të pavlefshme të veprimeve hetimore që janë kryer nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Më herët këtë kërkesë Veliaj, e bëri më 18 Gusht në Shkallën e Parë të Gjykatës së Posaçme e cila vendosi më 1 shtator rrëzim të kërkesës. Gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, në shqyrtimin e kësaj kërkesë nuk gjeti shkelje në hetimet paraprake të kryera nga SPAK duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që i rrëzoi kërkesën ish kryetari të bashkisë së Tiranë Erion Veliaj.
Në kërkesën e Veliaj, për rrëzimin e hetimeve të SPAK, pretendohej se Organi i Akuzës, ka tejkaluar afatet hetimore, denoncimi është bërë nga një person anonim pa bërë asnjë verifikim, si dhe pretendimi që prokurori i çështjes Ols Dado ishte emëruar në mënyrë të paligjshme në SPAK.
Pjesë e listës së gjatë të argumenteve renditej edhe shmangia e afateve hetimore përmes rregjistrimit të procedimit penal pa emër, sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate apo dhe leximi i korrespondencave private në mungesë të çdo baze e autorizimi ligjor.
Veliaj pretendon se nuk i është dhënë e drejta për mbrojtje efektive, pasi i është refuzuar koha e nevojshme për njohjen e akteve. Në procesin hetimor, sipas tij, janë përdorur ekspert të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë.
Ndërkohë, Veliaj, i cili ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit, po vijon betejën edhe në Kushtetuese kundër vendimi të marrë nga Këshilli i Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 20.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 240 akti, datë 14.10.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimi i shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore” dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të Vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, me datë 20.10.2025.”, njofton gjykata.