Një tjetër dosje në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha ka përfunduar në duart e SPAK. Kësaj radhe bëhet fjalë për kryengritjen e armatosur të 14 shtatorit 1998, të udhëhequr nga kryetari i opozitës së asaj kohe, Sali Berisha dhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike, të cilët tashmë janë kallëzuar në SPAK nga avokati Idajet Beqiri. Dosja është depozituar më SPAK më datë 15 tetor për ish-kryeministrin Berisha, Genc Pollo, Ridvan Bode, Shaban Memia, Pal Dajçi, Ekrem Spahiu, Frrok Gjini, Dem Dollapi, Alfons Zeneli dhe Artur Bejzade. Në kallëzim, thuhet se ndaj tyre duhet të nisë procedimi penal për 4 vepra penale: “Kryengritja e armatosur”, një vepër penale burg të përjetshëm dhe e pa parashkruar, Gjithashtu ka bërë kallzim edhe për “Vepra me qëllim terrorist”, “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Në 14 shtator 1998, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kryen një Kryengritje të armatosur dhe disa akte terroriste. Një akt kriminal për ata që e përgatitën dhe e realizuan, traumatizues për shoqërinë shqiptare, i dhimbshëm për të gjithë ne që e përjetuam, i turpshëm për institucionet e shtetit tonë që nuk ishin në gjendje ta parandalonin dhe, kur ndodhi, ta shtypnin me forcën e ligjit”, thuhet në kallëzim.
Në kallëzimin penal, jepen fakte dhe kronologji e ngjarjeve që nga trazirat e vitit 1997 deri në 14 shtatorin e 1998-ës, dy ditë pas vrasjes së ish-deputetit Azem Hajdari, kur edhe PD aso kohe pushtoi me grupe të armatosura për disa orë Kryeministrinë, RTSH, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, ndërsa një granatë u hodh në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi. Por ndërsa rendit faktet që prej 1997-s deri tek grushti i shtetit, Beqiri i bën thirrje SPAK të hetojë, duke theksuar se grushti i shtetit nuk ishte një ngjarje spontante që u krijua vetëm 2 ditë pas vrasjes së Hajdarit, por ishte planifikuar në mënyrë perfekte nga Sali Berisha prej të paktën 1 viti me radhë.
LEXO EDHE:
Ylli Pata: Dodik dhe Berisha, rastet që nxorën jashtë loje lobimin për non grata-n
Në kallëzim thuhet se “hetimet që u bënë për grushtin e shtetit zbuluan në Ministrinë e Rendit se gjatë zhvillimit të tij, të gjithë urdhrat që jepeshin nga Ministria e Rendit për njësitë e saj operative përfundonin në zyrat e Partisë Demokratike. Shumë kohë përpara fillimit të grushtit të shtetit, njerëzit e Partisë Demokratike në Ministrinë e Rendit e kishin lidhur qendrën operacionale të Ministrisë së Rendit me telefonat e selisë së Partisë Demokratike.”
“Organizatorët e grushtit të shtetit kishin planifikuar në mënyrë ”perfekte” gjithçka që i shërbente realizimit të tij me sukses. Të gjitha këto fakte tregojnë se grushti i shtetit i 14 shtatorit të vitit 1998 nuk ishte një ngjarje spontane, që e provokoi vrasja e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ai po përgatitej me kohë. Në këtë kuptim, grushti i shtetit i 14 shtatorit të vitit 1998 ishte një ngjarje e paralajmëruar. Atë nuk e kuptuan ose nuk deshën ta kuptojnë vetëm Qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit. Prandaj u treguan të paafta për ta frenuar paraprakisht dhe të papërgatitura për ta përballuar kur grushti i shtetit u zhvillua”, thuhet në kallëzim.
Në kallëzim thuhet se grushti i shtetit u përgatit me shumë kujdes e për një kohë të gjatë, në çdo detaj të tij, duke theksuar se autorët janë përpjekur që këtë ngjarje ta mbulojë terri. Idajet Beqiri shprehet në kallëzim se autorët e grushtit të shtetit nuk janë fantazma, por aktivë në politikë, duke iu referuar këtu kreut të PD, Sali Berisha, që sipas tij ende flet për marrjen e pushtet me revolucion.
“Heshtja dhe harresa për grushtin e shtetit të 14 shtatorit të vitit 1998, një nga ngjarjet më të errëta e më të dhimbshme të historisë moderne të shtetit shqiptar, është e frikshme. Autorët e tij nuk janë fantazma, por aktivë në politikën e sotme shqiptare. Ata vazhdojnë të flasin për marrjen e pushtetit me “revolucion”, që do të thotë jo në rrugë demokratike, nëpërmjet zgjedhjeve. Harresa është e mbarsur me përsëritjen e të njëjtave fajeve dhe riciklimin e të njëjtave ngjarjeve të hidhura. Aq më e rrezikshme kur ajo bëhet me ndërgjegje nga politika për interesat e vogla të ditës”, thuhet në kallëzim.
Plani për grushtin e shtetit të Berishës ka nisur që prej 29 qershorit 1997 kur Berisha humbi zgjedhjet dhe bën përpjekjen e parë për të rimarrë pushtetin në mënyrë ilegjitime. “Natën e 1 korrikut 1997 ai urdhëroi Gardën e Republikës dhe batalionin e gatshëm të policisë që të bllokonin të gjithë rrugët hyrëse në kryeqytet. Kjo tentativë dështoi, sepse, për fat të mirë, për urdhrin u njoftua kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino, i cili e bllokoi ekzekutimin e tij”, thuhet në kallëzim.
Më pas në kallëzim përmendet se si Berisha ka përdorur Leka Zogun, pasardhësin e ish-mbretit, Ahmet Zogu, për të bërë grusht shteti, ku si dëshmi sillet edhe intervista e dhënë nga Skënder Zogu, djali i vëllait të mbretit Ahmet Zogu, i cili deklaronte se Leka Zogu “…ra në kurthin e Partisë Demokratike”, duke nënkuptuar me këtë Berishën. “Të njëjtën gjë pohojnë edhe studiuesit James Pettifer dhe Miranda Vickers në librin e tyre “Çështja shqiptare, riformësimi i Ballkanit”, vijon kallëzimi.
Avokati Idajet Beqiri përmend në kallëzim edhe kontetsimin që Partia Demokratike e Sali Berishës bënte ndaj Fatos Nanos si kryeministër. Në kallëzim thuhet se PD përdori si argument vendimin famëkeq të Gjykatës së Tiranës të muajit prill 1994, në bazë të të cilit u burgos Nano (kur ishte lider i opozitës). “Sipas Partisë Demokratike, ky vendim ishte akoma në fuqi dhe Fatos Nanos nuk i kishte mbaruar periudha e burgimit”, thekson Beqiri në kallëzim.
Pas këtyre kontestimeve, qëndrimi i Partisë Demokratike dhe Sali Berishës u ashpërsua me fillimin e vitit 1998, ku në kallëzim përmendet edhe një “minigrusht” shteti që u organizua në Shkodër më 22 shkurt 1998. Një grup i armatosur sulmoi Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Pasi liroi tridhjetë e pesë të burgosurit që ndodheshin në ambientet e saj, i vuri zjarrin ndërtesës. Grupit terrorist, përveç të burgosurve, iu bashkuan edhe kontigjente të tjera të krimit në Shkodër. Së bashku sulmuan dhe grabitën Bankën e Kursimeve, Bankën Kombëtare, Gjykatën e Prokurorinë, Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Qendrën “Don Bosko” dhe dogjën Bibliotekën e njohur të qytetit. Ata vendosën kontrollin e tyre mbi institucionet dhe qytetin. Ndërsa në kallëzim përmende edhe thirrje të Berishës kundër qeverisë së asaj kohe: ”Tiranët në litar! Vdekje tiranëve! –Të shpartallojmë Qeverinë e tyre! – Nuk do ndalemi deri në vdekje, ose në fitore! I them Fatos Nanos, ti je armiku ynë, armiku i Shqipërisë. Do të tregojmë ty dhe bandës tënde vendosmërinë tonë për të të shkatërruar njëherë e përgjithmonë!”
Duke kaluar më pas tek grushti i shtetit i 1998-ës, në kallëzimin që tashmë është në duart e Prokrurorisë së Posaçme thuhet se Partia Demokratike dhe Sali Berisha e kanë pasur gjithmonë pjesë të strukturës së saj krahun e armatosur. Në kallëzim thuhet se në sulmin kundër institucioneve në 14 shtator 1998 morën pjesë aktive dhjetëra persona që kishin ardhur nga Italia e Greqia, shumë prej tyre me precedentë penalë, të kërkuar nga Interpoli për krimet që kishin bërë në ngjarjet e marsit ’97. Këtyre personave, në kallëzim thuhet se Berisha u kishte roemtuar se do të shpërbleheshin për kontributin e tyre, duke i rikthyer në funksionet që kishin pasur më parë.
“Hetuesit e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998 konstatuan se në Partinë Demokratike ekzistonte një department i veçantë që quhej ”Departamenti i Sigurisë Kombëtare”, i cili përbëhej nga ish-drejtues të Gardës, SHIK-ut, të Rendit, të Ushtrisë etj. Ata ishin që zbatuan strategjinë e Partisë Demokratike për destabilizimin e vendit dhe përgatitën e udhëhoqën grupin e sulmit dhe turmën e militantëve të armatosur kundër institucioneve të shtetit më 14 shtator 1998”, thuhet në kallëzim.
Avokati Beqiri u kujton prokurorëve të posaçëm se dy ditë para vrasjes së Azem Hajdarit, në datën 10 shtator 1998 Partia Demokratike i bënte thirrje të hapur militantëve të saj: “Ta rrëzojmë këtë qeveri me çdo mjet. “Pra, po u bënte thirrje paramilitarëve dhe militantëve të saj të mprihnin armët se kishte ardhur ora e sulmit kundër shtetit”, thuhet në kallëzim duke vijar se pritej vetëm momenti i përshtatshëm për shpërthimin e grushtit të shtetit. “Dhe ai erdhi me vrasjen e Azem Hajdarit, të cilin e nxorri në pritë Sali Berisha”, shkruhet në kallëzim.
Berisha akuzonte për vrasjen e Azem Hajdarit pushtetin e atëhershëm, duke i përqendruar akuzat mbi Fatos Nanon, por sipas avokatit Beqiri nga qartësimi i ngjarjeve më vonë, rezultoi se Azem Hajdarin e nxorri në pritë Sali Berisha.
“Informacioni që mori Sali Berisha për njerëzit e dyshimtë pranë Selisë së PD, para se Azem Hajdari të vritej, këmbëngulja e Sali Berishës me telefon që Azem Hajdari të kthehej sa më shpejtë nga Fieri në Tiranë, mos denoncimi i Sali Berishës në strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendëshme të personave të dyshimtë që kishin orë të tëra që qëndronin pranë Selisë së PD-së, dhe më në fund, urdhërimi i Sali Berishës përkundrejtë Azem Hajdarit, që ai të delte i armatosur dhe të shikonte se cilët ishin personat e dyshimtë që qëndronin për një kohë të gjatë pranë Partisë Demokratike, tregojnë se kjo ngjarje, domethënë vrasja e Azem Hajdarit nuk erdhi vetvetiu dhe papritur, por atë e solli i interesuari për të gjetur «shkëndinë» e ndezjes së flakës së Kryegritjes së armatosur dhe grushtit të shtetit, që kishte kohë që kishte filluar nga rrethet, drejtë Tiranës”, thuhet në kallëzim.
Në kallëzim përshkruhet me detaje kronologjia e grushtit të shtetit, si u sulmuan të gjitha insitucionet kryesore, Kryeministria, Kuvendi dhe ministritë e tjera. Një granatë u hodh në zyrën e Kryetarit të Kuvendit Skënder Gjinushit, u rrëmbyen disa tanke të Gardës, ndërsa atë ditë iu bë një atentat me armë ministrit të Brendshëm, Perikli Teta. Sali Berisha tërhoqi grupet e armatosura mbrëmjen e 14 shtatorit 1998 pas një ultimatumi të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili dënoi grushtin e shtetit dhe deklaroi se nuk njihte pushtet që dilte nga dhuna.
Personat ndaj të cilëve është depozituar kallëzimi
Sali Berisha
Ridvan Bode
Genc Pollo
Shaban Memia
Pal Dajçi
Ekrem Spahiu
Frrok Gjini
Dem Dollapi
Alfons Zeneli
Artur Bejzade