Në pak më pak se një vit nga marrja e mandatit të tij të dytë, Presidenti Donald Trump ka nisur një transformim të gjerë në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë kompleksit një pamje luksoze që për shumëkënd është e paparë.
Nga Zyra Ovale e mbuluar me ar, te Kopshti i Trëndafilave i shtruar me pllaka guri, dhe deri te ndërtimi i një salle gjigante balloje në krahun lindor, ndryshimet janë të dukshme dhe të diskutueshme, raporton The New York Times.
1. Sallë balloje 90 mijë metra katrorë
Një nga projektet më madhore është ndërtimi i një salle balloje në East Wing, me sipërfaqe 90 mijë metra katrorë. Trump e ka prezantuar këtë hap si të domosdoshëm për pritjen e liderëve botërorë, ndërsa kostoja e projektit pritet të kapë 200 milionë dollarë. Ai ka premtuar se shpenzimet do të mbulohen nga donatorë privatë dhe jo nga taksat e qytetarëve amerikanë, gjë që ka shkaktuar debate për transparencën dhe etikën qeveritare. Pamjet e publikuara tregojnë një dizajn që ngjan shumë me sallat e resortit Mar-a-Lago në Palm Beach. Punimet e shembjes së pjesës së krahut lindor nisën që në fund të tetorit.
2. Kopshti i Trëndafilave bëhet tarracë me pllaka guri
Kopshti i famshëm i Trëndafilave ka marrë një pamje krejtësisht të re, duke u shndërruar në një tarracë me pllaka guri dhe tavolina me çadra të verdha e të bardha, të ngjashme me ambientet e Mar-a-Lago. Trump e ka quajtur hapësirën e re “Rose Garden Club” dhe ka organizuar aty darka me ligjvënës republikanë, si dhe ceremoninë e dekorimit të aktivistit konservator Charlie Kirk me Medaljen Presidenciale të Lirisë.
3. Zyra Ovale, mbretëria e artë
Zyra Ovale është kthyer në një ekspozitë luksi. Muret janë mbuluar me ornamente ari, portrete me korniza të arta dhe pasqyra të zbukuruara me detaje të ngjashme. Madje edhe vulosja presidenciale në tavan është mbuluar me fletë ari, një detaj historik që nuk është parë më parë në Shtëpinë e Bardhë.
4. Dhoma e Kabinetit me llustra kristali dhe flamuj ushtarakë
Dhoma e Kabinetit është ridizajnuar për të ndjekur temën e artë. Muret dhe tavani kanë zbukurime të arta, ndërsa llustërat e mëdha kristali japin shkëlqim. Trump ka vendosur gjithashtu flamujt e forcave të armatosura për një atmosferë më patriotike.
5. “Presidential Walk of Fame” në West Colonnade
Në shtator, presidenti prezantoi “Presidential Walk of Fame”, një galeri portretesh të presidentëve amerikanë përgjatë korridorit që lidh rezidencën ekzekutive me Krahun Perëndimor. Portreti i Joe Biden është zëvendësuar me një imazh të një autopeni, duke nënkuptuar një thumbim politik ndaj pretendimeve të Trump mbi aftësinë e Biden për të marrë vendime vetë.
Burimi: The New York Times