Më 25 korrik 2025, Lefter Koka, në një seancë me dyer të mbyllura dhe larg syrit të medias, mori nga Gjykata e Durrësit vendimin për liri me kusht për një dënim 6 vite e 8 muaj burg (me gjykim të shkurtuar) për inceneratorin e Elbasanit.
Për këtë dënim, i vetmi që ka marrë formë të prerë, nga tre të aferës së inceneratorëve, ish ministri i Mjedisit ndodhet në burg që prej 14 vjetorit 2021, dhe bashkë me paraburgimin i kishin mbetur më pak se një vit e gjysmë.
Për të marrë lirimin me kusht nga gjyqtari i Durrësit Xhevdet Lika, si gjykata kompetente për shkak të vendit ku Lefter Koka vuan dënimin, ish ministrin e mbështeti edhe prokurori i Durrësit Gëzim Çopja, i cili ishte dakord me kërkesën dhe nuk bëri asnjë ankim në Apel. Më herët në GJKKO Lefter Koka ka marrë shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për inceneratorin e Tiranës, pasi dënimi i marrë me 2 vite burg për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë është ezauruar me paraburgim.
Për të dalë nga qelia dhe më në fund për të fituar lirinë pas 4 vitesh në burg (që prej 14 dhjetorit 2021), ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka i mbetet edhe një pengesë e fundit, dënimi për inceneratorin e Fierit. Për këtë aferë ai është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim nga shkalla e parë, ndërsa çështja është tashmë sërish në Gjykatën e Apelit, ku e risolli Gjykata e Lartë përmes një vendimi vetëm pak ditë më parë.
Lefter Koka kërkon shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” edhe për këtë dosjes, me argumentin se ka kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit, maksimali që mund të mbahet dikush në masë sigurie pa një vendim të formës së prerë.
Kërkesën e Kokës GJKKO do ta shqyrtojë më 24 tetor, datë në të cilin ish ministri mund të lirohet nëse merr vendim pozitiv nga togat e zeza.
Do të mbetet për t’u parë qëndrimi i prokurorëve të SPAK në gjykatë, ndërsa burime për Report Tv kanë bërë me dije se ‘thembra e Akilit’ në të gjithë këtë histori mbetet vendimi i Durrësit për liri me kusht, që sipas prokurorëve të posaçëm nuk mund të bëhej para se të kishte bashkim dënimesh, kur të tria të merrnin formë të prerë.
DËNIMET E LEFTER KOKËS
10 vite burg (6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar) për inceneratorin e ElbasaniT – Korrupsion pasiv dhe pastrim parash
10 vite burg (6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar) për Fierin – Korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shpërdorim detyre
3 vite burg (2 me gjykim të shkurtuar) për Tiranën – Shpërdorim detyre