Pas përgjigjes së sotme të qartë të Doktorit për Besartin, lidhur me dorëheqjen e mundshme të tij më 2026, Muli nisi menjëherë punën me Lelon për të shpërndarë mesazhin e Doktorit.
— Duhet të përçojmë disa mesazhe të qarta, — i tha Muli Lelos.
Së pari, në rrjetet sociale duhet të ketë disa postime kritike për Doktorin.
— Si kritike? — pyeti Lelo. — Të sulmojnë Doktorin?!
— Po, po, — tha Muli. — Njerëzit më radikalë dhe më besnikë të Doktorit tani është koha të shfaqen me postime “kritike” kundër tij.
— Po çfarë të thonë?
— Përmbajtja pak a shumë do të jetë kjo: “Doktor, mirë t’u bë, se ke ngritur në detyrë njerëz kot.”
Ose: “Kështu do ta pësosh sa herë mendon se këta që kanë bërë shkolla jashtë janë më të mirë se ne.”
Ose: “Doktor, sa herë heq dorë nga ne dhe merresh me këta gjoja intelektualët, kështu do të të ndodhë. Mirë të bëhet!”
— Këto postime janë shumë të rëndësishme, — sqaroi Muli. — Sepse janë kritike në dukje, por në fakt e ndihmojnë kauzën tonë. I tregojnë Doktorit rrugën e drejt që duhet të ndjekë — duke i përjashtuar tipa si ky Xhaferi.
— Dakord, — tha Lelo. — Ja po i përgatis disa. Po tjetër?
— E dyta, — vazhdoi Muli, — duhet një valë postimesh denigruese për këtë Xhaferin. Duhet kujtuar që s’ka meritë, që e ka vënë Belind Këlliçi se është shok i tij, që ka kaluar moshën për të drejtuar Forumin, që duhet hequr, etj.
— Këtë punën e moshës mos ta themi, — tha Lelo, — se Albana ka 13 vjet që drejton Forumin e Gruas pa u zgjedhur asnjëherë.
— Epo gratë nuk kanë moshë, — tha Muli, — derisa të vdesin. Të rinjtë kanë moshë derisa të bëhen gra ose burra.
— Ah, po, — u pajtua Lelo. — Po tjetra?
— E treta, — tha Muli me rëndësi, — duhet një valë postimesh të forta pro Doktorit, me kërcënime të tipit:
“Nëse nuk kandidohet Doktori, s’ka PD!”
“Ose unë iki nga PD!”
“Pa Doktorin, PD është pjesë e PS!”
“Ose: Doktori pa PD na çon në pushtet, PD pa Doktorin mbytet në det!”
— E kuptova, — tha Lelo duke marrë frymë thellë. — Ja, po i nis punës menjëherë!