Nga Anri Bala
Kur lexova disa ditë më parë këtë statusin e Behgjet Pacollit se:
“Aeroporti i Vlorës (investimi me i madh privat në infrastrukturë publike) po përfundon brenda afatit kontraktual dhe po merr formën e një prej aeroporteve më modern, më funksional dhe më të bukur në gjithë rajonin.
Falë edhe vizionit dhe kontributit personal të Kryeministrit Rama, veçanërisht në drejtim të zgjidhjeve estetike dhe dizajnit të brendshëm, kjo vepër po shndërrohet në një “boutique aeroport” – unik në llojin e vet dhe krenari kombëtare…”, mu kujtuan një pas një këta miqtë dhe pjestarët e ekipit fitues të Ramës që përfunduan në burg.
Edhe ata kështu bërtisnin në kor të shkretët: “Fal vizionit dhe kontributit të Edi Ramës…”, por në fakt burgun po e bëjnë vetë, ngaqë hëngrën kumbulla prapa shpinës së vizionarit, arkitektit, inxhinierit zbatues, certifikuesit dhe estetistit më të mirë që ka parë bota!
Pra kontributori dhe vizionari i Shqipërisë deri më tani në çdo koncesion, PPP, kulla apo zona rezidenciale… male, dete apo pyje… në çdo tullë apo beton të hedhur, në qiell ose në tokë… nis si ide dhe zbatohet sipas projektit të noltmadhnisë së tij Edi Rama, ama kur vjen puna te lekët… aty ai nuk ka gisht!
Kjo më kujton një telekomedi me Ceken, që titullohet “Gjithë fajet i ka paraja”.
– “Joooo, nuk marrë unë”, e ngrinte kokën përpjetë nga qielli Cekja, pasi Rrema provon t’i zgjas lekët që ta ndalonte të lagte dyshekun mbrëmjeve në gjumë.
– “Jepja kësaj, e kam të punësuar” dhe tregon me gisht për nga gruaja, e cila luhet nga aktorja Hajrie Rondo.
Kështu edhe Rama, gjithëkrijuesi dhe gjithëbërësi është me atë ☝️…me lekët ai s’ka punë, ndaj burgun do ta bëj Belinda kur të vij puna! /Ekskluzive.al







