Sot ka ndodhur një skandal i vertetë në drejtësi. Disa media nuk e pasqyrojnë sepse kanë interesa të kryqëzuara me segmente të drejtësisë. Por me pak fjalë po themi se Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, nuk u ftua sot në ceremoninë e betimit të magjistratëve të rinj — një ngjarje që mbetet skandaloze.
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) organizoi ceremoninë e betimit të gjyqtarëve të rinjë dhe nuk fton atë që u ka firmosur diplomat atyre si kryetar i Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, pra Sokol Sadushin.
Koha YouTube Channel
Ai është kryetari i Gjykatës së Lartë dhe në çdo protokoll shtetror ai ka vendin e tij, sepse përfaqëson kupolën e drejtësisë. E jo më në fushën e tij, ku dalin magjistratët e rinjë!
Swiss Digital Desktop Reklama
Ky përjashtim është një shenjë e qartë e tensioneve të brendshme në sistemin e drejtësisë, por mbi të gjitha, një shenjë e mungesës së respektit ndaj institucioneve kushtetuese, sidomos në këto kohë kur Sadushi ka folur hapur për problemet që vuan drejtësia.
Nuk ka më nevojë për shumë analiza: kur një sistem përjashton figurën që përfaqëson pikërisht majën e piramidës gjyqësore, problemi nuk është më te forma, por te thelbi – kultura e pushtetit, arroganca dhe hakmarrja tipike fshatare.
Sokol Sadushi nuk është një emër i zakonshëm. Ai është Kryetar i Gjykatës së Lartë, Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.
Të mos e ftosh në këtë ceremoni nuk është harresë. Është një mesazh inati, hakmarrje për problemet që ai ka ngritur publikisht.
Një mesazh që tregon se bashkëpunimi institucional është zëvendësuar nga përjashtimi, dhe se drejtësia e re po shfaq të njëjtat sindroma të vjetra – mungesë respekti, ego pushteti dhe heshtje arrogante.
Ky akt, sado ceremonial të duket, dëmton vetë thelbin e reformës në drejtësi, e cila duhej të sillte bashkërendim, pjekuri dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve.
Në vend të kësaj, po shohim një sistem që e ha vetveten, që përjashton zërat e pavarur dhe përpiqet të heshtë kritikën e drejtë përmes protokollit.
Kujtojmë se kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, në fjalimet e tij publike më 9 dhe 21 tetor, i kishte bërë thirrje të drejtpërdrejtë KLGJ-së që të mos heshtë, por të marrë përgjegjësi si organ përfaqësues i gjyqësorit.
Fjalët e tij ishin të qarta: “KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta – jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë e dinjitet…”. Por ai ka theksuar edhe disa probleme të tjera në drejtësi. Duket hapur se dikujt nuk i ka pëlqyer ajo çka Sokol Sadushi ka ngritur dhe ka folur pa ndrojtje.
Mesa duket, kjo nuk iu pëlqeu atyre që janë mësuar me qetësinë e zyrave, me konformizmin e jo me zërin e përgjegjësisë publike.
Dhe sot, përgjigja erdhi përmes një akti të heshtur: përjashtimit nga një ceremoni që simbolizon vetë ardhmërinë e drejtësisë shqiptare.
Në vendet demokratike, respekti institucional është formë e lartë e bashkëpunimit. Në Shqipëri, fatkeqësisht, është ende mollë sherri.
Në vend të unitetit, kemi heshtje selektive; në vend të bashkërendimit-garë për influencë; dhe në vend të pjekurisë, sjellje foshnjarake institucionalisht.
Nëse drejtësia e re nis karrierën e saj me përjashtime të tilla, ajo nuk po mëson nga gabimet e së kaluarës, por po i riprodhon ato – me një buzëqeshje të re dhe me një flamur reforme që po zbehet dita-ditës.
Në fund, kjo nuk është thjesht mungesa e një ftese. Është mungesa e kulturës së respektit institucional.
Është një sinjal që reforma në drejtësi po rrëshqet drejt përçarjes së brendshme, në vend që të ndërtojë unitet.
Sepse drejtësia nuk mund të reformohet nga ata që heshtin përballë padrejtësive.
Ajo mund të reformohet vetëm nga ata që flasin – dhe për këtë arsye, shpesh përjashtohen.
Ndaj hakmarrja ndaj Sokol Sadushit mbetet e turpshme për ata që e bënë, sepse në thelb tregon injorancën e atyre që nuk pranuan ti bëjnë ftesë numrit një të Gjykatës së Lartë.



