Prej disa orësh në media të ndryshme në vend është publikuar lajmi se Zv.kryeministrja Belinda Balluku është vendosur nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Gazeta TemA pyeti koordinatoren për marrëdhëniet me Median në SPAK, Ada Heqimi në lidhje me këto lajme dhe mori përgjigjen se “Prokuroria e Posaçme nuk ka asgjë për të ndarë me median”.
Ndërkaq, mediat që kanë publikuar lajmin i referohen atyre që i quajnë “burime të rezervuara brenda SPAK”.
Media në fjalë, që prej kohësh është shumë kritike me Ballukun, e ka publikuar lajmin, pak kohë pas një postimi të Gazmend Bardhit, i cili është i pari që shkruante në rrjetet sociale se Zv.kryeministrja Balluku është nën hetim nga SPAK, madje përmend edhe prokurorin që e ka çështjen, Dritan Prençi.






