Ka ndërruar jetë 6-vjeçarja, e cila prej disa ditësh ndodhej e shtruar në Pediatrinë e Tiranës, pasi pësoi plagë të rënda nga flakët që i përpinë banesën e saj në Maliq.
Më 19 tetor, zjarri përfshiu banesën e familjes Hazisllari ku për pasojë ndërruan jetë Rrahime Hazisllari 40 vjeç dhe djali i saj Luka Hazisllari 13 vjeç.
Vajza 6-vjeçare e familjes, Nefel Hazisllari, u shtrua me urgjencë në Pediatrinë e QSUNT-së në Tiranë, por ndërroi jetë sot, pas 6 ditësh, duke mos arritur t’i mbijetojë plagëve të rënda. E mitura pësoi djegie në 45% të trupit.
Luka dhe Nefeli ishin të diagnostikuar me çrregullime të spektrik autik.
Familja Hazillari ndodhej në kushte të vështira ekonomike ndërsa para në shtëpi sillte vetëm bashkëshorti i Rrahimes, Valentino, i cili ishte i punësuar në ndërtim dhe në kohën që zjarri ka rënë, nuk ka qenë në banesë.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se zjarri ka qenë aksidental. Soba e druve ishte ndezur në kuzhinë dhe në dysheme gjendej një dyshek sfungjeri. Po në dysheme u gjeten dhe disa fije shkrepese, ndaj nuk dihet me saktesi se si mori flakë dysheku e me pas orenditë.
Nga dëshmitë e deritanishme dhe provat në vendngjarje, mendohet se nëna tentoi të shuajë flakët. Ajo arriti të nxirrte vajzën e vogël në oborr përmes dritares. U rikthye për të marrë djalin por nuk ia doli. Fqinjët, të alarmuar nga të qarat e vajzës, hapën me forcë portën e jashtme të baneses, e cila ishte mbyllur me çelës.
Vajzën 6-vjeçare, që kishte festuar ditëlindjen një ditë para tragjedisë, e gjetën me plage të shumta në fytyrë e trup. Ndërsa, 40-vjeçarja me djalin 13 vjeç u gjetën në korridorin e banesës, afër derës së kuzhinës, të asfikësuar nga tymi.
Shefi i zjarrfikëses, Sadik Halili, ka rrëfyer se djali fillimisht është gjetur me shenja jete dhe u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetojë, ndërsa nëna u gjet e pajetë sepse ishte asfikësuar nga tymi.






