CEO i “Bankers Petroleum” Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, të cilët ndodhen në burg që në korrik, kërkojnë ndryshim mase në GJKKO. Përmes avokatëve të tyre, Çobo dhe CEO kinez kanë kërkuar informacion për hetimet dy mujore dhe zëvendësim të masës së sigurisë.
Prokuroria e Fierit shpalli moskompetencë për dosjen e Bankers dhe e transferoi në Prokurorinë e Posaçme pasi gjatë hetimeve disa mujore dolën në dritë elementë të rinj që kanë të bëjnë me veprën penale të korrupsionit, që përfshijnë zyrtarë të lartë, si edhe grup të strukturuar kriminal.
Aksioni në “Bankers Petroleum” në fillim të korrikut erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend. Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2004–2024, kompania ka eksportuar dhe shitur naftë me një vlerë totale prej 532 miliardë lekësh, rreth 5 miliardë euro, por ka deklaruar humbje prej 11.7 miliardë lekësh dhe nuk ka paguar asnjë tatim-fitimi.
Hetimet nga prokuroria e Fierit nisën pas një kallëzimi nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila evidentoi skemën e dyshuar të mashtrimit fiskal. Ndërkohë, Bankers ka mohuar akuzat, duke deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet shqiptare për zbardhjen e çështjes.
Personat e tjerë e përfshirë janë lënë në arrest shtëpiak dhe në detyrim paraqitje.
“Arrest me burg”:
Leonidha Çobo Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në, pastrim parash
Hongping Xiao Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
“Arrest në shtëpi”:
Lianyi Wang Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Ardit Kero Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Flavia Capo Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Kledi Xhani Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
“Detyrim paraqitje”
Doina Goga Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Majlinda Thana Fshehja e të ardhurave
Matilda Ibraliu Fshehja e të ardhurave
Erton Ademaj Fshehja e të ardhurave






