Volejbolli shqiptar është hasur këto ditë me një ngjarje të padëgjuar më parë. Volejbollistja e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar përkohësisht nga Federata pasi ka pasur ankesa për të nga klubet e Vllaznisë dhe Pogradecit në lidhje me gjininë e saj. Report Tv mëson se sinjalizimet nga rivalët kanë bërë që klubit të Dinamos t’i kërkohet që të kryejë një ‘test gjinie’ për 32-vjeçaren.
Duket se braziliania nuk e ka pritur mirë këtë ndodhi, por së bashku me klubin i është drejtuar gjinekologut. FSHV kërkon teste më të thelluara për të parë nëse më herët kemi të bëjmë me një ndërrim gjinie nga Nayara. Burime brenda klubit të Dinamos, thonë se volejbollistja braziliane është ankuar për diskriminim në shoqata për mbrojtjen e grave, por edhe te Ambasada Braziliane në Tiranë, pasi ndjehet e fyer. Klubi kryeqytetas beson se Ferreira është paragjykuar për shkak të stilit të veshjes, ndërsa karriera e saj 15-vjeçare si volejbolliste profesioniste nuk lë vend për dyshime.
Dinamo e ka quajtur këtë akt si ‘cënim i dinjitetit njerëzor’, por fakt është se deri në këto momente Nayara Ferreira është e pezulluar. Edhe në ndeshjen e fituar dje nga Dinamo kundër Tiranës, Nayara Ferreira nuk ishte e gatshme.
Te klubi i Dinamos mendojnë se pezullimi është i padrejtë, pasi është bërë në bazë të dyshimeve, ndërsa Report Tv kontaktoi edhe me Federatën Shqiptare të Volejbollit (FSHV), që konfirmoi se vendimi do të qëndrojë i tillë deri në momentin që dalin përgjigjet e ‘testit të gjinisë’.
Nëse shohim CV e saj, Nayara Ferreira ka qenë pjesë e klubeve të volejbollit si BMB/Mackenzie, San Bernardo, Sesi, Pinheiros në Brazil, apo Gran Canaria Spanjë, Kravole Pole Çeki, LP Vampula në Finlandë, Vitoria dhe Kairos në Portugali apo Al Ahly dhe Alula në Arabinë Saudite.
Këtë sezon Nayara Ferreira kaloi te Dinamo dhe në përvojën e parë në vendin tonë është hasur me diçka që nuk e ka ndeshur në shtetet ku ka qenë aktivizuar më parë.






