Nga Anri Bala
Një mijë teza kemi dëgjuar, e një mijë të zeza kemi provuar, prej të lebetiturve të drejtësisë, që na duan… duke na mallkuar, poshtëruar, vrarë, burgosur e syrgjynosur. A e keni parë si sillen, si ithtarë të pastërtisë, moralit dhe ndershmërisë, a thua se nuk kanë qenë asgjëkundi, kur kryeguzhinieri profesionist i helmimit, gatuante çorbën, që ka helmuar prej vitesh këtë vend, “pushtodrejtësinë”?!
Pushtet mbi drejtësinë dhe drejtësi me pushtetin, si kjo e tyre nuk mund të gjendet gjëkundi, ndaj të lënë pa mend kur na miklojnë e gudulisin, për të parë nëse jemi të zgjuar apo… të hutuar!
Këto nuk të lënë as të harrosh diçka, siç i harron koha, duke u mburrur më çorbën dhe duke e kthyer fajin në pafajësi, ndershmëri, devotshmëri, për vendin, që e deshën dhe e duan edhe sot, për ta mjelur në sy të bariut… popull?!
Tani kanë vendosur, se konsensus për këtë “shejtan reformë”, që u derdhi çorbën dhe po u djeg barkun e “allatet”, mund të bëjnë vetëm me Europën, pa e kuptuar as vetë, se për cilën Europë e kanë fjalën, për Perëndimoren apo Lindoren, apo kush t’i dëgjoi?!
Vasalët me megafonin e tyre, nuk kanë lënë rast pa e shfaqur urrejtjen ndaj politikës europiane, për mospërfilljen që ato i’u kanë “dhuruar” gjithmonë, duke mos i lejuar të bëhen faktor, jo vetëm se fyejnë e sulmojnë përfaqësuesit e SHBA-BE-së dhe gënjejnë me dashurinë e tyre të rrejshme, për Europën dhe Amerikën, por sepse janë pjesa e malinjitetit në demoktacinë shqiptare ?!
Ndaj, janë hedhur në sulm si çakenj të tërbuar, duke bërë një fushatë linçuese kundër çdo diplomati, çdo ministri apo deputeti të huaj, për të “njollosur” figurën e tyre… duke recituar bëmat e tyre kriminale! Fronti anti-drejtësi, pret me “zemër në dorë”, se do të përfundojnë atë që lanë përgjysëm… rikthimin në Republikën e të Mallkuarve, ku liria shitej si mall pazari dhe kriminelët shëtisnin lirisht!
Kurse bilbili, me bilbil në gojë, përgatiti e qendisi fraza të vjedhura dhe vë kushte, se reforma duhet të kthehet aty ku ishim, në Manastirin e mbushur me djaj, sepse… dëshiron i tremburi nga hijet dhe klithmat imagjinare, që e ndjekin në mendjen e tij. Të gjitha këto përpjekje donkishoteske, kanë një qëllim… një mundësi për të prekur pushtetin, makara gjysëmpushtetin, çerekpushtetin, një thelë mjafton t’i vijë era pushtet pushtash!
Strategjia e tyre e ardhjes në pushtetin, që po u largohet vite larg, sa as dylbitë nuk mund ta shikojnë, është një dhe e vetme… pengimi me çdo kusht i Reformës në Drejtësi, për ta përdorur si alibi… mos nënshkrimin e aktit final të negociatave, në Qershor 2019.
Rikthimi i ligjeve dhe fshehja nga votimi parlamentar i këtyre “delikuentëve”, do ta çonte drejtësinë në kalendat greke, kur kushti kryesor e mbi gjithçka, është Reforma në Drejtësi… rezultative!
Nuk u duhet më asgjë, as drejtësia, as padrejtësia, por u duhet vetëm rikthimi në karriget e humbura, si varka e shpëtimit në llumin ku po mbyten dhe e dinë mirë, se është guri i fundit që mund të luajnë… bllokimi i drejtësisë, bllokimi i Shqipërisë.
Por a mund të realizohet?! Duket një mision i pamundur!
Përpjekjet e tyre për të sugjestionuar gjithëkënd… por në të vërtetë askënd, nuk janë veçse një tentativë e dështuar, për të na treguar, se ata gëzojnë “mbështetje” ndërkombëtare, por nuk ndajnë të njëjtat pikëpamje me to, kur bëhet fjalë për vlerat. Makthi i tyre e ka një datë… qershorin, ndërsa ushtarët dhe rishtarët që i ruanin krahët, në “skakierën e padrejtësisë”, po rrëzohen një nga një!
Deri në shtator, në mes të këtij klani të rrezikshëm, do kenë mbetur pa u përlyer me llum katër deputet, qytetar me moral, që e duan vendin dhe të ardhmen tonë, e nuk tremben kur i kanë duart dhe ndërgjegjen e pastër, e nuk janë pjesë e antikombit… nga tmerri.
Endrrat që shohin me negociata europiane, këto sorra pa pupla, janë si ëndërrat me lule, që shikojnë “viktimat” e ngrira në mes të dëborës, para vdekjes… pa dhimbje!
Europa e vlerave i ka bërë dalje me kohë, kur flitet për opozitën pa opozitë të SHQUP-it, kurse shtojcën kuqerozë, as që e di se ekziston! Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse partnerët ndërkombëtar europian të së majtës, takojnë drejtuesit e së majtës dhe nuk mund të bisedojnë kurrë me një forcë politike majtas-djathtas ose djathtas-majtas, që nuk përfaqëson asnjë grupim politik, por një bandë, që kërcënon të ardhmen sociale dhe politike të vendit.
Këta llafazanë të dhjamosur e të cekët, që bëjnë thirrje: “Drejtësi për të gjithë, drejtësi për askënd”, janë një tjetër thikë në plagën e atyre që e provuan tmerrin e “xhelatëve” të veshur me mantelin e zi, që të ngjanin më shumë si një togë pushkatimi, se sa një trup që duhet të jap drejtësi. Klithmat dhe gulçimat e vrapit të tyre, nuk do u bëjnë gjë tjetër, veçse do i’ua shkurtojnë rrugën drejtë greminës ku po vrapojnë … nëse shkojnë në vesh të Zotit/Ekskluzive.al