Situatë apokaliptike në shtetin fqinj, Greqi. Athina prej dy ditësh është përfshirë nga zjarret masive, ndërsa numri i viktimave, sipas mediave fqinje ka shkuar mbi 77 deri tani, 164 të plagosur, ndërsa dhjetëra të tjerë konsiderohen të zhdukur. Tre nga viktimat mendohet se janë shqiptarë dhe tre të tjerë raportohen të lënduar, mes të cilëve edhe dy fëmijë. Viktima e parë shqiptare e konfirmuar është një grua nga Saranda, Nica Leka e cila është gjetur e djegur brenda në banesë, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje kritike.
Flakët gjigante kanë përpirë mijëra shtëpi. Nga totali i viktimave, sipas mediave greke vetëm në një restorant në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë. Roja bregdetare ka shpëtuar mbi 700 persona nga plazhet e zonës, të cilët u dyndën drejt detit prej flakëve. Dyshohet se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht nga grabitësit për të plaçkitur banesat. Zjarri fillimisht ka nisur në një resort turistik në veri të Athinës.
Dëmet e zjarrit
E ndërsa ambasadorja shqiptare në Athinë, Diana Hodbari në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se zyrtarisht deri në orën 15:00 të ditës së sotme është vetëm një shqiptare e lënduar, emigrantët shqiptarë pohojnë se dyshohet për 3 viktima dhe 13 të plagosur.
Shteti shqiptar ka dërguar mesazhe ngushëllimi për popullin grek. Presidenti Meta dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha i kanë bërë thirrje qeverisë të ofrojë ndihmën e nevojshme për Greqinë.
Lajmi për shqiptarët konfirmohet për Report Tv nga ish-kreu i Federatës së Emigrantëve në Greqi, Etmond Guri, por edhe emigrantë të tjerë. Guri shprehet se tre shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa identiteti i tyre nuk dihet, mes tyre dyshohet se është edhe një i ri nga Tepelena, dy shqiptarë të tjerë janë shpallur të zhdukur. Greqia ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe tre ditë zie kombëtare.Tre shtetas shqiptarë dyshohet se kanë humbur jetën por nuk dihen emrat e tyre. Përveç tyre raportohet edhe për dy shqiptarë të humbur. Gjithçka ndodhi brenda dy-tre orëve. Kryebashkiaku i Athinës, gjatë një prononcimi ka hedhur dyshimet për mbi 100 viktima, të cilët priten të identifikohen. Gjithashtu priten edhe shumë të lënduar shqiptarë pasi kjo zonën është e mbipopulluar.