Eurodeputeti Fredi Beleri ka lëshuar kritika të forta ndaj situatës politike dhe institucionale në Shqipëri, gjatë fjalës së tij në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri.
Ai deklaroi se Shqipëria nuk është e gatshme për integrim dhe se reforma në drejtësi ka dështuar, duke njollosur të gjitha aspektet e sistemit gjyqësor.
“Shqipëria nuk mund të jetë në paradhomën e BE-së, kur paratë e shtetit përdoren për të blerë vota dhe krimi i organizuar ka përfaqësues në Parlament” – tha Beleri, duke iu referuar gjetjeve të raportit të ODIHR për zgjedhjet.
Ai theksoi se reforma në drejtësi, e nisur me ambicie një dekadë më parë, ka rezultuar e papërmbushur: “Vendimet e gjykatave nuk respektohen, qytetarët ndihen të pambrojtur dhe drejtësia vonon deri në 15 vite” – u shpreh ai.
Beleri kritikoi edhe procesin e dixhitalizimit të pronave, duke thënë se vetëm 60% janë regjistruar dhe se shumica e pronarëve ende nuk i kanë marrë tokat e tyre.
Ai solli si shembull situatën në Finiq, ku sipas tij vetëm 20% e banorëve kanë parë regjistrimin digjital të pronave.
Eurodeputeti kërkoi që Shqipëria të përmbushë realisht kriteret e integrimit dhe të garantojë trajtim të barabartë për të gjitha pakicat, duke theksuar se ka ende shumë punë për të bërë.
“Dua të them se jam shumë i kënaqur që jam këtu, dhe se dua të kontribuoj me gjithçka që mundem. Dua të them që ëndrra është që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Kam jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri dhe gjysmën tjetër në Greqi, kam jetuar në një vend të BE dhe në një vend jo anëtar të BE-së. Është absolutisht e nevojshme që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian.
Por shumë nga gjërat që janë thënë, nuk pasqyrojnë realitetin e vendit. Realiteti është ajo që ka thënë ODIHR. Shqipëria nuk mund të jetë në paradhomën e BE, pasi tregojnë se paratë e shteti përdorën për të blerë vota. Krimi i organizuar ka përfaqësuesit e vetë në Parlament. Pra një vend nuk mund të jetë i gatshëm të futet në BE, kur një reformë që filloi me shumë ambicie, 10 vite më vonë, duket se është një dështim dhe të gjitha aspektet e drejtësisë shqiptare janë njollosur.
Nuk mund të respektojmë vendimit e gjykatës, shumë qytetarë të Shqipërisë e ndjejnë që në Gjykata nuk jep drejtësi dhe që drejtësia të vendoset, kërkohet 10 deri në 15 vite. Ju kryetar thatë që 60% e pronave të shqiptarëve janë dixhitalizuar, por u deshën gjithë këto vite që toka të iu kthehet pronarëve dhe shumica nuk iu janë kthyer.
Për sa i takon pakicave, ka gjithashtu probleme, ato nuk kanë marrë një trajtim të barabartë. Vetëm 20% e banorëve të Finiqit kanë parë regjistrimin e tokave të tyre në formë digjitale. Ka shumë gjëra që duhen bërë”, tha Beleri.






