Sali Berisha, ndoshta për herë të parë në mënyrë kaq të hapur, akuzoi gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut se kanë rikthyer metodën e drejtësisë së tij, pra që dosjet, shpalljet e pafajësisë dhe dënimet blihen me para.
“Dosjet në SKAP mbyllen kundrejt ryshfeteve. Prandaj edhe aty i kthejnë në turshi ato. Zyrtarët që kanë vjedhur qytetarët, kur u shkojnë dosjet aty, i mbyllin përmes ryshfetit. Në dosjet e Lubi Ballukut janë të qarta si kristali mbi 2.2 miliardë euro, Lubia do të merret e pandehur për 1 milion euro ose më pak. Pra, dosjet mbyllen me qese parash. Kjo është një gjë e tmerrshme për këtë vend”, tha Berisha.
Kjo është pikërisht ajo që ndodhte kur Berisha ishte në pushtet, dhe është pikërisht për të shëruar këtë kancer që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ushtruan presion për të reformuar sistemin e drejtësisë. Është pikërisht për të luftuar këtë fenomen kriminal të korrupsionit në drejtësi që u krijua SPAK-u. SPAK-u është bërë një strukturë me fuqi të jashtëzakonshme, e fortë edhe falë disa teprimeve ligjore të imponuara nga gjendja e emergjencës në të cilën ndodhej drejtësia.
Por superfuqitë e SPAK-ut mund të tolerohen (edhe kjo tashmë po bëhet e vështirë për t’u pranuar) vetëm me një kusht të padiskutueshëm: që prokurorët dhe gjyqtarët që bëjnë pjesë në të të jenë absolutisht të pakorruptueshëm.
LEXO EDHE:
Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit në Tiranë, vizitë në SPAK! Takime edhe me përfaqësues të mazhorancës e opozitës
Përballë një akuze kaq të rëndë të bërë nga Sali Berisha, organet përfaqësuese të SPAK-ut kanë pra detyrimin të reagojnë me një kallëzim penal për shpifje. Nëse nuk e bëjnë, nuk do të tregohen më superiorë: do të tregojnë ose do të lënë të besohet se Sali Berisha ka të drejtë. Dhe kjo është e papranueshme dhe e padurueshme për çdo qytetar të këtij vendi.
Në këtë rast nuk ka rëndësi dënimi, i cili për shpifje parashikon vetëm një gjobë. Rëndësi ka të verifikohet akuza dhe të tregohet vullneti i SPAK-ut për të zbuluar të vërtetën. Ashtu siç kam bërë unë disa herë me shpifësit që më kanë akuzuar, përfshirë edhe Berishën, të cilin e kam bërë të dënohet (kallëzimi i fundit është paraqitur këto ditë nga avokati im kundër njërit prej shpifësve serialë të mediave të PD-së), po si qytetar pres që edhe SPAK të bëjë të njëjtën gjë.
Nëse nuk i kërkon Sali Berishës të paraqesë përpara një gjykate provat e akuzave të tij, SPAK rrezikon të konfirmojë se Berisha nuk po gënjen. Dhe kjo mund të nënkuptojë fundin e besueshmërisë së tij. (c.b.)






