Por përveç braktisjes nga deputetët, Monika Kryemadhi duket se ka ftohje dhe me Lulzim Bashën. Ditët e fundit është treguar qartë se LSI dhe PD janë dy parti të ndara dhe bashkëpunojnë vetëm për të sulmuar Ramën. Seanca parlamentare e së hënës e tregoi mjaft mirë këtë gjë. LSI nuk e braktisi seancën sikundër bëri PD. Po ashtu Luan Rama ishte ai që ndërmori nismën për të organizuar një tryezë diskutimi sa i takon magjistratëve, por PD e refuzoi nismën e LSI. Edmond Spaho nuk pranoi asnjë diskutim.
Basha reagoi më pas dhe lëvizjet e LSI i quajti si lëvizje të Sigurimit të Shtetit, duke sulmuar në këtë mënyrë aleatët. Por dje ka reaguar deputeti Nasip Naço, i cili po ashtu ka treguar se LSI ka filluar të distancohet nga PD. Basha vendosi 7 kushte përballë mazhorancës, por Naço tha se ato janë të PD dhe LSI është e distancuar.
“Besoj që ato janë kushte të PD. Ka disa pika që mund dhe duhet të negociohen”, tha ai. Lëvizja Socialiste për integrim vijon me qëndrimin e saj se dialogu politik është drita jeshile për p/ligjin për magjistratët, por sipas saj mazhoranca nuk është e interesuar për t’i dhënë zgjidhje ngërçit sistemit të drejtësisë. “Klasa politike i ka të gjitha mundësitë që të ulet të negociojë dhe të japë një zgjidhje kushtetuese dhe ligjore. Jo për të bërë pazare, por për të gjetur një zgjidhje kushtetuese dhe ligjore”, tha Nasip Naço. Ai u ndal dhe te zgjedhjet vendore, duke treguar dhe një herë ftohjen me PD. Naço kërkoi që LSI të dale me kandidatët e saj.
“Në qarkun e Beratit do të doja të dilja vetëm me të gjithë kandidatët që mund të jenë në 5 bashkitë e Beratit”, tha ai. Naço ka folur dhe për ligjin e teatrit, duke thënë se nëse ai rrëzohet nga presidenti, mazhoranca mund të thërrasë seancat jashtëzakonshme parlamentare për rrëzimin e dekretit./sot