Serie A e futbollit në Itali zhvilloi pesë takimet e radhës. Të dielën te tri pikët dolën Interi, Milani, Bologna dhe Lecce. Gara për kreun e Serie A është e ngushtë, me Interin, Milanin dhe Romën që janë vetëm një pikë më pak se Napoli kryesues.
Në “San Siro” Milani mposhti 1-0 Romën dhe e barazoi në garën për të marrë kreun e Serie A. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 39-të nga Pavlovic. Pasimi final i Leao u shfrytëzua nga mbrojtësi serb që i dha tri pikë me shumë peshë të besuarve të Allegrit. Për t’u theksuar se Roma humbi mundësinë e barazimit në minutën e 82-të, kur Paulo Dybala u ndal nga 11 metërshi, me Maignan që kuptoi krahun dhe e devijoi sferën në fundore.
Në Firenze, vendasit e Fiorentinës u mposhtën 0-1 nga Lecce. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Medon Berisha në minutën e 23-të. Krosimi i Tete Morente bëri që mesfushori i Kombëtares ta devijonte topin në rrjetë për golin e dytë sezonal, duke u shpallur edhe “Njeriu i Ndeshjes”. Fiorentina pëson humbjen e gjashtë dhe është një nga katër skuadrat e Serie A që ende nuk ka siguruar një fitore këtë sezon, teksa trajneri Stefano Pioli është në prag shkarkimi.
Raundi i 10-të i Serie A mbyllet këtë të hënë me sfidat Sassuolo – Genoa (18:30) dhe Lazio – Cagliari (20:45). Pas javës së dhjetë është Napoli me 22 pikë që mban kreun e renditjes, ndjekur nga Inter, Milan dhe Roma me 21 pikë. Bologna dhe Juve ndjekin me 18 pikë.
Serie A, raundi 10-të:
E diel, 02 nëntor 2025
Verona 1-2 Inter
Fiorentina 0-1 Lecce
Torino 2-2 Pisa
Parma 1-3 Bologna
Milan 1-0 Roma






