Thellohen problemet, përplasjet dhe krizat në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pas largimit të Ilir Metës, kjo parti po përballet me shumë vështirës, të cilat pritet të shtohen. Kohët e fundit janë dhënë sinjale se 5-6 deputetë nuk i binden Monika Kryemadhit. Ata kanë marrë pjesë normalisht në komisione dhe në seanca plenare kur opozita ishte në bojkot, ndërsa ka dhe nga ata që kanë votuar ligje të mazhorancës.
Nje ndër ta është deputeti Robert Bitri, i cili së fundmi ka dalë si deputet i pavarur. Por gazeta ka mësuar se Bitri do i bashkohet zyrtarisht Partisë Socialiste. Në shtator ai pritet të bëhet pjesë e grupit socialist, duke i dhënë një goditje të fortë partisë të Monika Kryemadhit. Partia Socialiste pritet që të shkojë në 76 deputetë. PS në zgjedhje doli me 74 deputetë, ndërkohë së fundmi u bashkua me të Reme Lala, ndërsa do të jetë dhe Robert Bitri.
Por ka dhe emra të tjerë që përflitet se do kalojnë në kampin mazhoritar. Disa ish-ministra kanë dalë kundër linjë së LSI në shumë raste. Pra duket se LSI ndodhet në një situatë aspak të mirë. Pak muaj më parë nisi një valë e madhe braktisjesh nga këshilltarët bashkiakë.
Mbi 457 persona u bashkuan me PS në shumicën e bashkive dhe akuzuan fort Kryemadhin. Tani hegjemonia është shtrirë dhe në radhët e deputetëve, pasi ka shumë të pakënaqur./sot