Lëkundet besimi i publikut shqiptar tek procesi i vetingut. Ditën e djeshme KPK vendosi që të rikonfirmojë në detyrë kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Por ajo që e bën të diskutueshëm këtë vendim është fakti se vetë komisioni i vetingut, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në datën 20 korrik renditi një sërë shkeljesh të Zaganjorit.
Ai kishte probleme të shumta me pasurinë, ndërsa u deklarua nga trupa gjykuese se kishte kryer edhe evazion fiskal. Mirëpo pavarësisht këtyre gjetjeve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në favor të kreut të Gjykatës së Lartë. Në një kohë kur të gjithë prisnin që trupa gjykuese të shprehej dje se Zaganjori do të përjashtohej nga sistemi i drejtësisë për 15 vite, një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Trupa, pasi mori në shqyrtim dokumentacionin, kreu një hetim të thelluar administrativ dhe vendosi konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori”, u shpreh trupa gjykuese dje.
Ky vendim befasues bën që Xhezair Zaganjori të vijojë të ushtrojë detyrën e tij si kryetar i Gjykatës së Lartë. Por teksa një vendim i tillë është një lajm i mirë për Zaganjorin, duhet thënë se qytetarët shqiptarë mund ta konsiderojnë si një diçka të keqe.
Lëkundja e vetingut
Për herë të parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori goditje dhe besueshmëria e qytetarëve tek ky institucion u lëkund. Deri më tani KPK ka zbuluar zullumet e shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe më pas ka vendosur t’i shkarkojë nga detyra, por nuk dihet arsyeja se pse me Xhezair Zaganjorin nuk u veprua po njësoj. Tanimë të gjithë sytë janë drejtuar tek Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Ata mund të ankimojnë vendimin e komisionit të vetingut, duke e çuar çështjen tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Kujtojmë që për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese ndërkombëtarët e ONM dolën kundër vendimit të KPK, duke kërkuar kështu shkarkimin e Bashkim Dedjes. Duke marrë shkas nga rasti “Dedje”, pritet që në të njëjtën mënyrë të veprohet edhe për Xhezair Zaganjorin.