Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj akuzoi Gjykatën Kushtetuese se veproi në mbrojtje të korrupsionit dhe në interes të Edi Ramës, pas vendimit që lejon kryetarin e Bashkisë së Tiranës , Erion Veliajn, të vazhdojë detyrën edhe pse ndodhet në burg për korrupsion.
Sipas Shehajt, Rama kërkon të krijojë një precedent ku akuzat apo arrestimet për korrupsion nuk përbëjnë arsye për largim nga posti.
Kreu i Partisë Mundësia paralajmëron se ky standard, që sot mbron Erion Veliajn e Belinda Ballukun, nesër mund të përdoret nga vetë Edi Rama për t’u mbrojtur nga drejtësia.
“Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese na thotë që një kryetar bashkie, i cili është i arrestuar dhe në burg për korrupsion, duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës. Por, mesa duket, kjo i intereson Edi Ramës dhe, nëse Edi Rama do që mos të bëhen zgjedhjet në Tiranë, Gjykata Kushtetuese merr vendim në favor të Edi Ramës. Ka dhe një çështje tjetër shumë të rëndësishme.
Edi Rama ka nevojë t’i thotë të gjithëve që të jesh i akuzuar për korrupsion dhe në burg me akuzë për korrupsion, sipas Edi Ramës, nuk është arsye për të dhënë dorëheqje dhe për t’u larguar. Kjo vlen për Erjon Veliajn sot, por vlen gjithashtu për Ballukun dhe mund të vlejë edhe për Edi Ramën nesër, kur Edi Rama vetë të jetë në hetim për korrupsion” – u shpreh Shehaj në një video në rrjetet sociale.






