Berisha u shfaq para SPAK duke mbrojtur vrasjet e protestuesve në bulevard më 21 janar 2011. Berisha e mbrojti krimin shtetëror duke thënë se nuk ka pasur asnjë urdhër për të qëlluar në drejtim të protestuesve dhe se sipas tij Garda ka vepruar vetëm në përputhje me ligjin.
“S’ka pasur asnjë urdhër dhe s’do mund ta gjejnë që ka patur urdhër, se s’ka patur urdhër. Garda ka vepruar në përputhje me ligjin dhe vetëm ligjin, lexoni ligjin të miratuar nga mazhoranca para ardhjes sonë në pushtet”, tha Berisha nga SPAK ku u paraqit për të zbatuar masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani.
Për ish-ministrin e tij të Brendshëm, Lulzim Basha i cili u paraqit në SPAK vetëm pak ditë më parë, Berisha nuk ka asnjë koment, por zgjodhi të sulmojë kryeprokuroren e atëhershme Ina Rama. Berisha tha se shte kërkesë nga SHBA që të zbardhej 21 janari, të cilin e quan demonstratën më të dhunshme me synimin për të përmbysur pushtetin. Por, ai ‘harron’ kryengritjen e tij të armatosur në 1997 dhe sulmet me armë ndaj institucioneve, dosje që tashmë është depozituar në SPAK.
“Nga viti 2013 gjeri në vitin 2025 njeriu që ka penguar çdo hetim të asaj dosje ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Shqiptarët e dinë që skam patur një armiqësi të hapur me ina Ramën, e cila nëse ky është si vëlla me Troplinin, Ina është si motër e Troplinëve. Ina Rama e cila refuzoi prokurorin ndërkombëtar që unë kërkova, nuk hetonte dot se i dilte Rama. Kërkesa zyrtare e qeverisë amerikane është kjo, të hetohet nga polici i thjeshtë tek organizatori kryesor. Hetimi i plotë dhe zbardhja e kësaj çështje është interesi më maksimal i Berishës dhe PD. Ajo ishte demonstrata më e dhunshme me një axhendë politike për përmbysjen e pushtetit”, tha Berisha.
Në pritje që edhe vetë të shkojë të japë llogari në Prokurorinë e Posaçme, Berisha thotë se do t’i thoshte po një fletëthirrje të mundshme.
Para SPAK, ku shkoi në zbatim të masës detyrim paraqitje si i pandehur për korrupsion në aferën “Partizani” Sali Berisha foli edhe për çështjen ndaj zv. Kryeministres , edhe ajo tashmë e pandehur, të cilën e quajtur “Rahmetlie Balluku”. Kreu i PD foli për konflikt interesi në lidhje me regjistrimin e motrës së Ballukut si avokate.
“Se tani e tutje, siç shënova dje në një status, Lubie Balluku do quhet Rahmetlie Balluku. Jo se ato janë motra, jo, por se vetorët marrin licencat e avoketërve dhe në stilin Rakipi, ata do të shkatërrojnë përfundimisht të gjithë shërbimin e avokatisë, pasi janë të vetmit që i kanë peng gjykatësit, prokurorët dhe është absolutisht drejtësia e konfliktit të interesit”, tha Berisha.
Dosja 21 janari
Ishte insistimi i palëkundur i familjarëve të Aleks Nikës, e vetmja vrasje pa autor, që çoi dosjen e 21 janarit në dyert e SPAK. Më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë foli në frymën e një vendimi historik të një prej gjykata më të rëndësishme ndërkombëtare, asaj në Strasburg për të Drejtat e Njeriut, dhe urdhëroi SPAK të hetojë 21 janarin si krim shtetëror, për të zbardhur rolin dhe përgjegjësitë e drejtuesve të lartë shtetërorë, Berishës, Bashës, e Ndrea Prendit për vrasjet e 4 protestuesve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, sot dëshmorë.
Prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e gardës Nrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia, Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite, tashmë prej kohësh, të dy njerëz të lirë.
Prokuroria e Posaçme regjistroi më 15 korrik procedimin penal për 3 vepra penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.






