Nga Alesia Balliu
Në Elbasan thonë se ka dy lloj yjesh: ata që ndriçojnë qiellin dhe ata që digjen shpejt, duke lënë vetëm tym dhe grindje pas. Luçiano Boçi u shit si i pari, por përfundoi si i dyti. Një “yll” që besoi se drita e tij vinte nga lavdia, ndërsa në fakt vinte nga reflektorët e tjerëve.
Rruga e tij politike ngjan me fabulën e gjelit që mendon se lindja e diellit varet nga kënga e tij dhe kur heshti, agimi erdhi po njëlloj. Fshati u zgjua… dhe nuk e ndjeu mungesën.
Boçi u gjet nga PD Elbasan si “shpresa e re” në 2007. Shpresa e kujt? E atyre që kërkonin një emër për fasadë. Në vend që të mbillte besim, mbolli klane. Në vend që të zgjidhte, krijoi konflikte. Në vend që të drejtonte, thjesht administronte ego dhe llogari personale.
Elbasani e pa, e dëgjoi, e peshoi – dhe e refuzoi. Herë me humbje të thella, herë me turp publik. Por gjithmonë me të njëjtin rezultat: dështim. E fajtorë kishte plot: kutitë, listat, partia, moti, qielli… veç Boçi jo.
Beteja? Zero. Akuza? Vetëm Regjimi elektoralë. Denoncime ndaj pushtetit lokal? Asnjë serioze. Luftë ndaj krimit dhe oligarkisë? As në ëndërr. Në Elbasan ai mbahej mend për takime nën ullinj, jo në tribuna. Për foto në fushata, jo për kauza. Për kalkulim të vogël, jo për vizion. Aleat me kë të duhej, dhe kundër kujtdo që i binte rruga.
Kur politika s’i mjaftoi, nisi të ëndërronte poste si në filmat amatorë: nënkryetar Kuvendi, kryetar partie, madje edhe kryeministër! Por edhe ëndrrat kanë limit kur realiteti është bosh.
Në fabul, gjeli i oborrit këndon për të bindur veten se dielli zbardh vetëm në komandën e tij. Realiteti është mizor: kur heshti, dielli u ngrit po njësoj. As Elbasani s’u errësua për mungesën e tij, as demokracia nuk e vajtoi.
Sot, kur bilanci është i qartë vetëm humbje atëhere mbetet vetëm e vërteta: Boçi s’la dot një bashki, s’la dot një parti të bashkuar, s’la dot një kauzë. Lë vetëm një precedent: si nuk bëhet politika.
Në Elbasan sot thonë me humor: Shkëlqimi dhe rënia e shokut Boç
Ndoshta është hera e parë që qyteti merr frymë pa retorikë, pa tym, pa yje të rremë.
Ne e dimë çdo fabul mbaron njësoj:
Në fund, lavdia false bie më shpejt se duartrokitja e saj.






