Mero Baze
Një ndër pak gjëra në të cilat Berisha ka shkëlqyer këto 35 vjet është diversioni ndaj kundërshtarëve. E ka këtë një shkollë të konsoliduar politike qysh kur pati arrestuar Fatos Nanon në burgun e Bënçës dhe sajonte letra në emër të tij kundër drejtuesve të PS-së, për t’i përçarë dhe për t’i rigrupuar në interes të tij.
Pasioni i tij në këtë pikë, vit pas viti, u kthye në një shkollë politike, nga e cila, për hir të së vërtetës, ai mbijetoi. Kështu u përfshi përsëri në diversionin mes Nanos dhe Metës në vitin 2001, duke e kthyer politikën shqiptare në tre polare, nga e cila përfitoi ndarjen e PS-së dhe riardhjen në pushtet më 2005. Kjo është dhe e vetmja “shkollë politike” mbi të cilën e bazon suksesin deri në ditët e sotme.
Prej së premtes, kur SPAK ka marrë të pandehur zëvendëskryeministren Balluku, ai është hedhur në sulm përsëri. Fillimisht hodhi tezën që Balluku ka çuar protestues para Bashkisë së Tiranës kundër Veliajt.
Tani, Balluku dhe Veliaj vërtet mund të mos e duan njëri-tjetrin apo të jenë edhe në armiqësi, por protestat para Bashkisë së Tiranës janë të filmuara dhe shumë transparente, dhe aty kanë qenë rregullisht 10 vetë nga PD-ja dhe 30 policë të bashkisë.
Nëse e ka pasur fjalën që njerëzit e Ballukut ishin Belindi dhe Kalaja, atëherë paska zbuluar grup armiqësor në PD, sepse nga PS-ja dhe Balluku nuk ka pasur njerëz.
E vazhdoi më tej këtë “diversion”, pastaj duke u marrë me Elisën kundër Ballukut dhe në fund u zotua se do të protestojë kundër Edi Ramës.
Ky, në fakt, është banaliteti i një udhëheqësi që nuk ka popull, dhe shpreson që mund të ngjallë diversion duke u mburrur se ka marrë popull hua nga socialistët për protesta.
Kjo nuk është e vërtetë, por edhe po të ishte, është një e vërtetë që e turpëron atë. Socialistët kanë të drejtë të zemërohen me udhëheqësit e tyre dhe, nëse kjo ndodh, ata kanë mënyrat e tyre se si i përballin ata.
Kjo deklarata e Berishës tregon se ai, kur flet për protesta, ka parasysh mercenarë, madje mercenarë të marrë nga pala tjetër. Kjo thjesht tregon se ai është një udhëheqës pa popull dhe paralajmërimet e tij për protesta bazohen tek shpresa se mos i bashkohet ndonjë socialist.
Për fatin e tij të keq, ky pushtet nuk rrëzohet dot as me protestat e tij e as me mercenarë, por me zgjedhje. Dhe në zgjedhje, njerëzit i peshojnë të gjitha: problemet e qeverisjes, korrupsionin e saj, përballjen me drejtësinë dhe Sali Berishën. Emri i Berishës mjafton vazhdimisht që çdo hall që ka pushteti të balancohet dhe peshorja të shkojë prapë nga këta që janë në pushtet.
Ndaj edhe nëse vërtet Berisha mendon se mund të bëjë diversion duke shpikur “mercenarë” të PS-së në protestat e tij, nuk i bëjnë punë, pasi Edi Rama ka vetë Berishën sa një milion mercenarë që nuk e lë të rrëzohet nga pushteti.






