Emocione, gola dhe surpriza kanë karakterizuar mbrëmjen e sotme në Champions League, ku “Anfield” u bë skena e një fitoreje të madhe për Liverpool-in ndaj Real Madridit. “Të kuqtë” triumfuan minimalisht 1-0 në një përballje të zjarrtë, që u zhbllokua vetëm në minutën e 60-të.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, edhe pse rastet dhe tensioni nuk munguan. Në pjesën e dytë, “Anfield” shpërtheu. Dominik Szoboszlai harkoi saktë nga goditja e dënimit, dhe Alexis Mac Allister mposhti Courtois për golin e vetëm të sfidës. Portieri belg ishte ndër më të mirët për Realin, duke shpëtuar disa raste të pastra, por nuk mundi të ndalonte gjuajtjen e argjentinasit, i cili, ironikisht, mbetet një nga objektivat e merkatos së verës për madrilenët.
Bayern Munich vijon marshimin perfekt këtë sezon, duke regjistruar fitoren e 16-të radhazi. Kampionët e Gjermanisë triumfuan 1-2 në “Parc des Princes” ndaj PSG-së, kampiones në fuqi të Europës. Luis Diaz ishte protagonist absolut me dopietën e tij në minutat 3’ dhe 32’, ndonëse u ndëshkua me karton të kuq në shtesë. Për vendasit, Joao Neves ngushtoi diferencën në minutën e 73-të me një gol të bukur akrobatik, por pa mundur të ndryshojë fatin e ndeshjes. Bayern kryeson grupin me 12 pikë të plota në 4 ndeshje, po aq sa edhe Arsenali, dhe konfirmohet si favoriti kryesor për trofeun e Champions League këtë sezon.
Në Torino, debutimi i Luciano Spallettit në stolin e Juventusit nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 ndaj Sporting Lisbon. Portughezët shënuan të parët me Maximiliano Araujo në minutën e 12-të, ndërsa Dusan Vlahovic barazoi pas një asisti të Thuram në minutën e 34-të. Në minutat e fundit u aktivizua edhe Edon Zhegrova, por pa ndikim në rezultat.
Tottenham konfirmoi formën e shkëlqyer me një fitore bindëse 4-0 ndaj Copenhagen. Brennan Johnson zhbllokoi sfidën në minutën e 19-të, më pas shënuan Odobert (51’), Micky van de Ven (64’) dhe Joao Palhinha (67’) për një mbrëmje perfekte në Londër.
Në takimet e tjera të mbrëmjes:
Atletico Madrid – Royale Union SG 2-1: Alvarez dhe Gallagher shënuan për vendasit, ndërsa Sykes ngushtoi diferencën për belgët në minutën e 80-të.
Bodo/Glimt – Monaco 0-1: Balogun realizoi golin e fitores në fund të pjesës së parë.
Olympiacos – PSV 1-1: përballje e ekuilibruar që u mbyll pa fitues.






