“E ardhmja është në duart tona. Miqtë e mi, kemi përmbysur një dinasti politike” – tha Zohran Mamdani në fjalimin e tij të fitores mbrëmë, në një teatër në Brooklyn. “Kthejmë faqen mbi një politikë që i braktis shumë dhe u përgjigjet vetëm pak vetave. Nju Jorku sot ka fituar një mandat për ndryshim, një mandat për një lloj të ri politike, për një qytet që mund ta përballojmë”.
Zohran Mamdani është kryetari i 111-të i Bashkisë së Nju Jorkut: u shpall fitues vetëm gjysmë ore pas mbylljes së qendrave të votimit. Jo vetëm në Teatrin Paramount në Brooklyn, ku mbajti fjalimin, por edhe në rrugë dëgjoheshin britma gëzimi dhe njerëz që binin boritë për të festuar. Mamdani iu drejtua drejtpërdrejt Donald Trumpit, duke e sfiduar: “Donald Trump, meqenëse e di që po më shikon, kam katër fjalë për ty: Rrit Volumin”.
Ai deklaroi se Nju Jorku do të jetë “drita në këtë moment errësire”. E quajti Trumpin “despot” dhe shtoi: “Nëse ka një vend në botë që mund të tregojë se si të mposhtet Donald Trump, ky është qyteti që e krijoi atë”. Nju Jorku është “një qytet emigrantësh, i mbështetur nga emigrantët dhe që nga sot udhëhiqet nga një emigrant”, përfundoi Mamdani: “Dëgjo Trump, për të arritur te njëri prej nesh, do të duhet të kalosh përmes nesh të gjithëve”.
Fitorja e tij u bë e mundur kryesisht falë 104.000 vullnetarëve, shumë prej të cilëve të rinj, që trokitën në 3 milionë dyer dhe bënë 4,4 milionë telefonata. Kryetari i ri, i pari mysliman dhe nga Azia Juglindore në historinë e qytetit të madh, falënderoi “brezin e ri të njujorkezëve”, të rinjtë që “gërryen cinizmin që kishte përkufizuar politikën tonë”. Dhe premtoi: “Do të luftojmë për ju, sepse jemi ju”. Më pas, iu drejtua të gjithë njujorkezëve, nga tregtarët jemenitë te taksistët senegalezë: “Ky qytet është edhe i juaji dhe po kështu është edhe kjo demokraci”.
LEXO EDHE:
SHBA/ Ndërron jetë në moshën 84-vjeçare Dick Cheney, zv.president në kohën George W. Bush
Pjesëmarrja në votime ka kaluar tashmë mbi dy milionë (dhe numërimi vazhdon): është cilësuar si më e larta që prej vitit 1969. Me 90% të votave të numëruara, Mamdani kishte 50% të preferencave, Andrew Cuomo 42% dhe Curtis Sliwa 7%. Fituesi është pranë marrjes së më shumë votave se të gjithë kandidatët e zgjedhjeve për kryebashkiak në vitin 2021 së bashku.
Andrew Cuomo, ish-guvernatori i Nju Jorkut, i mposhtur nga i panjohuri Mamdani që në primaret demokrate, kishte vendosur të vazhdonte si i pavarur. Dje, i rrethuar nga vajzat e tij, deklaroi se fushata e tij kishte qenë një mënyrë për të sfiduar dinamikat “të rrezikshme»” që po kalon partia dhe vendi. Turma fishkëlleu kur Cuomo uroi Mamdani për fitoren, por ish-guvernatori tha:”«Jo, kjo nuk është e drejtë”.
Kandidati republikan Curtis Sliwa e pranoi menjëherë humbjen dhe në fjalimin drejtuar mbështetësve – pasi deklaroi se kishte refuzuar 10 milionë dollarë që i ishin ofruar për t’u tërhequr nga gara – premtoi se do të sigurohej që Mamdani ta mbante qytetin të sigurt (një nga premtimet kryesore të tij elektorale). Në qendrën e mbështetësve të Cuomos, disa e akuzuan Sliwën për fitoren e Mamdanit, pasi ai kishte refuzuar të tërhiqej nga gara.
“Ka filluar epoka Mamdani”, shkruan The New Yorker. “Rivalët e tij u përpoqën ta delegjitimonin për moshën e re, mungesën e përvojës dhe politikën e tij të majtë. Por njujorkezët nuk donin një politikan të ngurtësuar nga përvoja e brendshme e sistemit, donin Zohran Mamdani”. “The Red Apple, Molla e Kuqe”, thuhet në titull, me një karikaturë të fituesit që ngre lart draprin dhe çekanin.
Në fjalimin e tij, Mamdani përqafoi menjëherë premtimin e një “epoke të re” të karakterizuar nga «”një qeverisje bashkiake që ndihmon të gjithë”. Ai tha se programi i tij social do të jetë më ambiciozi pas atij të kryetarit italo-amerikan Fiorello La Guardia. Premtoi gjithashtu se Bashkia do të luftojë antisemitizmin dhe se nuk do të jetë “kurrë më e mundur të përdoret islamofobia për të fituar një zgjedhje”. Ai pranoi se pritshmëritë janë të larta për hyrjen e tij në City Hall pas 58 ditësh: “Por do t’i përmbushim”.
“Jam mysliman, jam socialist demokrat dhe refuzoj të kërkoj falje për këto gjëra”, tha Mamdani. Ai është kryetari i parë mysliman i Nju Jorkut, i pari nga Azia Juglindore. Nuk është më i riu: Hugh J. Grant ishte 31 vjeç kur u zgjodh në vitin 1889. Nuk është as i pari socialist: David Dinkins ishte gjithashtu anëtar i Socialistëve Demokratë të Amerikës.
Pyetja tani është çfarë do të bëjë Trump, i cili kishte ftuar të votohej për Andrew Cuomo dhe kishte kërcënuar se do t’i hiqte fondet federale qytetit nëse zgjidhej Mamdani. Shumë mendojnë se do të dërgojë Gardën Kombëtare. Por është e qartë se votuesit e Nju Jorkut iu përgjigjën vetë Trumpit me këtë zgjedhje. Presidenti shkroi në rrjetin e tij social Truth, me shkronja kapitale: “Fakti që Trump nuk ishte në fletën e votimit dhe që ka një shutdown janë dy arsyet pse republikanët humbën zgjedhjet sonte, sipas sondazheve”.
Në Nju Xhersi dhe në Virxhinia janë zgjedhur dy guvernatore demokrate të moderuara, Mikie Sherrill, avokate dhe ish-pilote helikopterësh në Marinë, dhe Abigail Spanberger, ish-zyrtare kundër terrorizmit në CIA: të dyja kanë qenë deputete në Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë gratë e para që mbulojnë detyrën e guvernatores në shtetet e tyre. Fitorja e tyre, së bashku me atë të Mamdanit, do të mbajë të hapur debatin mbi drejtimin që duhet të marrë partia për të mundur Trumpin dhe trumpizmin: drejt qendrës apo majtas?/Corriere della sera






