Zgjedhjet e së martës sollën një valë fitoreje për Partinë Demokratike në të gjithë Bregun Lindor të SHBA-së, duke reflektuar pakënaqësinë e zgjedhësve ndaj presidentit Donald Trump, pothuajse një vit pas fillimit të mandatit të tij të dytë. Demokratët fituan garat, garën për kryetar bashkie të New Yorkut, me fitues Zohran Mamdanin garat për guvernator në Nju Xhersi dhe Virxhinia dhe Propozimin 50, masën e votimit për rindarjen e zonave zgjedhore të Kalifornisë.
Në Virxhinia, ish-kongresistja e moderuar Abigail Spanberger arriti rezultatin më të fortë për demokratët në historinë e fundit të shtetit, duke siguruar me lehtësi fitoren. Ndërkohë, në Nju Xhersi, një tjetër moderuese, Mikie Sherrill, arriti të shpërbëjë koalicionin që Trump dhe rivali republikan Jack Ciattarelli kishin ndërtuar në zgjedhjet e fundit.
Në Nju Jork, fitorja e socialistit demokrat Zohran Mamdani shënoi herën e dytë këtë vit që ai mposht ish-guvernatorin Andreë Cuomo, fillimisht në primaret demokrate dhe më pas në zgjedhjet e përgjithshme, ku Cuomo kandidoi si i pavarur me mbështetjen e Trumpit.
Fitoret e demokratëve me prirje të ndryshme ideologjike nuk pritet ta zgjidhin debatin e brendshëm të partisë për drejtimin që duhet ndjekur, sidomos me primaret e mesmandatit që afrohen dhe me zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 në horizont. Megjithatë, të gjithë kandidatët u bashkuan në një temë të përbashkët: çështjen e përballueshmërisë ekonomike dhe kritikat e ashpra ndaj administratës Trump.
“Amerikanët janë të tmerruar nga ajo që po shohin nga kjo administratë,” tha kongresistja Alexandria Ocasio-Cortez nga festa e fitores së Mamdanit në Nju Jork.
Në Kaliforni, votuesit miratuan një nismë për rishpërndarjen e zonave elektorale që pritet të forcojë pozitat e demokratëve në garën e ardhshme për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Ndërsa në Pensilvani, gjyqtarët demokratë të Gjykatës së Lartë të shtetit ruajtën shumicën e tyre, duke siguruar ndikim të vazhdueshëm në një shtet kyç ku betejat ligjore mbi rregullat e votimit janë të pashmangshme.






