Dëshmitë e vendasve
Ndërsa në zonat greke të prekura nga tragjedia kishte nisur llogaritja e pasojave njerëzore e materiale. “Mati nuk ekziston më si qendër banimi”, tha një grua vendase për mediat greke. “Gjithçka shihje aty ishin trupa njerëzish dhe makina të djegura. Ndjehem me fat që jam gjallë”, shtoi ajo. “Unë personalisht kamë p[arë të paktën 100 shtëpi që u dogjën”. tha Evangelos Bournous, kryebashkiak i zonës Rafina-Pikermi, duke shtuar më tej: “E pashë me sytë e mirë, ishte një katastrofë”.
Nikos Stavrinidis tha se kishte humbur dy miqtë e tij në ujërat e portit të Rafina, pasi grupi kishte vrapuar drejt detit kur panë flakët që afroheshin. “Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Zjarri ishte fillimisht në distancë dhe te ne vinin vetëm shkëndija. Por një moment zjarri na kishte rrethuar. Era ishte e papërshkrueshme”, tha ai. Yannis Stratikopoulos i agjencisë së mbrojtjes civile tha se përpjekjet për të luftuar flakët do të vazhdonin derisa at të viheshin nën kontroll. Ai tha se ishte ende herët për të spekuluar si cilin drejtim do të marrë era, Stratikopoulos refuzoi sugjerimet se grupet nuk ishin koordinuar mirë me njëri-tjetrin.
Evakuimet
Ndërkohë autoritetet greke po nxisnin banorët e rajoneve bregdetare në perëndim të Athinës të braktisnin shtëpitë teksa një tjetër zjarr masiv kishte shkaktuar mbylljen e një prej autostradave kryesore të Greqisë, kishte ndaluar lidhjet hekurudhore dhe po dërgonte re masive tymi mbi kryeqytet. Zjarrfikës dhe mjete nga e gjithë Greqia po luftonin ndërkohë qendrën e zjarrit në Kineta, qyteza turistike 50 km në perëndim të Athinës ku kalojnë thuajse të gjithë pushuesit drejt gadishullit të Peloponezit.
Dje po shtoheshin gjithashtu kritikat ndaj operacioneve të shpëtimit dhe luftës ndaj zjarreve, pasi banorët lokalë të zonës së Mati pretendonin se autoritetet kishin keqllogaritur forcën e zjarreve dhe ishin fokusuar vetëm te zjarri në Kineta, kur në zonën e tyre ishte përhapur ferri në tokë. Një rezidente, e identifikuar si Christina, tha për radion vendase Thema 104.6 se autoritete nuk ishin fare të organizuar. “Ata nuk kishin asnjë plan. Asnjë pikë ujë nuk është hedhur në zjarrin në Mati pasi ata ishin të shqetësuar vetëm për zonën në perëndim të Attica.
Prandaj dhe njerëzit u dogjën këtu. Askush nuk u informua nga asnjeri”, tha banorja e zemëruar. Në të gjithë Greqinë kanë shpërthyer rreth 50 zjarre të egra pylli, por shumica e tyre u shuan në kohë, raportonte qendra e zjarrfikësve grekë. Dhjetë qendra zjarresh vazhdonin ende paraditen e të martës, duke përfshirë vatra si ajo e Korinthit, Kretës deh disa në qendër dhe veri të Greqisë.
Punonjësit e emergjencave thanë se zonat rreth Athinës ishin si një bombë që pritej të shpërthente pas një dimri të thatë dhe temperatura verore që në disa raste i kanë kaluar 40C. Sot në të gjithë Greqinë jugore priten reshje shiu, të cilat do të sjellin një çlirim të shumëpritur për punonjësit e emergjencës dhe banorët e zonave të prekura nga katastrofa. Autoritetet presin rritje të numrit të viktimave, ndërsa 150 persona janë shtruar në spital. 15 vatra zjarri u aktivizuan njëkohësisht në tre zona të ndryshme, tha zëdhënësi i qeverisë dhe besohet se kanë qenë të qëllimshme pasi shtëpitë e braktisura janë vënë në shenjëster të grabitësve.