Nga Mero Baze
Tani që ka filluar “gjyqi popullor” ndaj Belinda Ballukut, bazuar në materialet e rrjedhura nga SPAK, më bëri përshtypje egërsia me të cilën media pranë Berishës dhe vetë njerëz të PD-së shpërndanin një shkëmbim SMS-sh mes Ballukut dhe deputetit Arbi Agalliu, lidhur me një problem familjar që ai kishte me pronat e tij në Vlorë.
Fakti që ai i ishte drejtuar Ballukut për ndihmë u shpall si herezi e madhe, dhe filluan ta etiketojnë si një “ish-deputet i Lulit” që paskësh “shitur shpirtin” tek Balluku.
Në fakt, po të marrësh të gjithë telefonat e deputetëve të opozitës dhe shkëmbimet e tyre të SMS-ve me ministra të qeverisë, kjo e Agalliut nuk do të mbahet mend fare. Por le ta lëmë mënjanë këtë si një shembull hipotetik.
Në vend të kësaj, ne kemi deklaratën e djeshme të Berishës, i cili pranoi publikisht se vetë ai zyrtarisht ka bashkëpunuar me Ballukun për protesta kundër Veliajt.
Pra, përballë një halli familjar të një deputeti dhe impotencës së një “lideri” që kërkon mercenarë për misionin e tij opozitar, kjo e dyta është shumë më e rëndë.
I pari nuk ka tradhtuar askënd duke kërkuar të zgjidhë hallin e tij personal — dhe s’ka ku ta zgjidhë përveçse në qeveri.
Kurse partneriteti që pranon Berisha për diversion politik është shumë herë më i rëndë dhe më i turpshëm.Dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë mos u nxitoni të sulmoni Agalliun për një kërkesë të rëndomtë.
Merruni një herë me kryetarin e partisë suaj, i cili ka pranuar publikisht se ka bërë opozitë të financuar nga qeveria.
Dhe mos u çudisni pastaj kur t’u dalin kërkesa direkte për lekë nga deputetët tuaj, apo favore të tjera biznesi që mund t’u bëjnë qesharak.
Kur Berishës iu bënë publike dosjet e “Klubit Partizani” dhe historitë e pronave të vajzës së tij, me vila e apartamente të shtrenjta në katër kryeqytete të Evropës, ai kërkoi që mediat të ndalonin botimet dhe të mos i interpretonin ato.
Tani që SPAK po bën të njëjtin teatër me Ballukun, është kthyer vetë Berisha në aktorin e parë që deformon dosjen, nxjerr gjëra nga konteksti dhe përpiqet të bëjë dhe “prokurorinë” me ata që e tradhtuan dhe nuk u kthyen kurrë më në vathën e tij.
Dhe meqë ra fjala — ky proces është denoncuar në SPAK nga Lulzim Basha.
E keni në fjalinë e parë, në krye të dosjes, dhe jo nga Gazmend Bardhi.
Keni rastin tani të fantazoni për “bashkëpunimin Basha–Rama”, edhe në këtë pikë.






