Altin Dumani rrëzoi plotësisht akuzat e Sali Berishës, i cili është shprehur se kreu i Prokurorisë së Posaçme ka intimiduar prokurorin Dritan Prençin, për të mos vazhduar hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, konkretisht në atë të tunelit të Llogarasë.
“Nuk i komentoj deklaratat politike, por ajo që theksoj është kjo: prokurorët e posaçëm janë të pavarur, janë zot të çështjes. Si drejtues i SPAK kam ofruar për prokurorin e çështjes, për arsye konkrete, gjithmonë mbështetjen time, solidaritetin tim, sa herë ka qenë e nevojshme ndihma ime. Në rastin konkret asgjë nuk qëndron, nuk është e vërtetë. Prokurori Prenci ka mbështetjen time për këtë çështje dhe të tjerat”,- tha Dumani.
Njoftimin publik që SPAK bëri për të sqaruar arsyen e paraqitjes së vizitës së Ballukut në ambientet e prokurorisë Dumani e cilësoi konform çdo ligji, sa i përket anës proceduriale.
“Sa i takon informimit të publikut lidhur me çështjet që janë në hetim, ne jemi gjithmonë të kujdesshëm, pasi qëllimi kryesor është të ruajmë integritetin e hetimit, të mos e dëmtojmë. Nga ana tjetër, ne marrim në konsideratë edhe të drejtat e subjektit të akuzuar në proces. Njoftimi u bë ditën që subjekti u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, subjekti në fjalë. Ishte njoftim korrekt nga ana procedurale dhe i mjaftueshëm për publikun”,- tha Dumani, duke harruar shkeljen kiminale ligjore të shpërndarjes së pjesëve nga dosja hetimore, të gjoja të vërteta të bisedave të Ballukut me Berberin.






