Pak përpara se të niste seanca plenare dje në Parlament kreu i PD Sali Berisha foli edhe për orintimin seksual të Silvio Gonzato kreu i delegacionit të BE në Tiranë. Për këtë zhvillim gazetari Top Channel Muhamed Veliu, përmes postës elektronike i kërkoi një koment Komisionit Europian.
“Përafrimi me acquis-në e BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin të gjitha vendet kandidate janë të detyruara ta sigurojnë.
Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian.
Siç kujtoi edhe Komisionerja Kos në postimin e saj në rrjetet sociale dje:
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e së drejtës së BE-së. Këto janë vlera thelbësore të BE-së dhe të drejta themelore. Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar mbrëmë.”
Ky zhvillim pason rekomandimin në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë 2025, i cili i bënte thirrje Shqipërisë të siguronte një nivel të lartë ambicieje dhe është në përputhje me acquis-në e BE-së dhe standardet evropiane për këtë ligj:
“Ky është një tjetër tregues i përkushtimit të Shqipërisë për të ndërmarrë reformat kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”
Kujtojmë se Berisha u shpreh dje për ambasadorin e BE në Tiranë: “Ambasadorit të BE i them kaq, zotëri ne absolutisht ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar.
Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale fare”.




