Në nëntë muajt e fundit, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar ose ka lënë në hije të paktën dy duzina gjeneralë e admiralë – një seri lëvizjesh që, sipas The New York Times, po tronditin Pentagonin dhe po riformësojnë udhëheqjen e ushtrisë amerikane për vite në vijim.
Sipas raportimit, këto ndërhyrje të papritura janë bërë shpesh pa shpjegime të qarta dhe shpesh në kundërshtim me këshillat e drejtuesve më të lartë ushtarakë.
Burime të larta në ushtri pohojnë për NYT-në se kjo qasje ka krijuar “një atmosferë pasigurie dhe mosbesimi” brenda strukturave të komandës.
Ndër emrat më të përfolur është ai i gjeneralmajorit James Patrick Work, një prej oficerëve më me përvojë luftarake të ushtrisë amerikane, i cili ka udhëhequr trupat amerikane dhe irakiane drejt fitores kundër ISIS-it në Mosul.
Megjithë mbështetjen e gjerë të lidershipit të ushtrisë, karriera e tij mbetet pezull – për shkak, sipas burimeve, të lidhjeve të mëparshme me ish-kreun e Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjeneralin Mark Milley, të cilin Donald Trump e ka akuzuar shpesh për “mosbesnikëri”.
Në listën e “të padëshiruarve” janë përfshirë edhe drejtues që janë shprehur dikur në mbështetje të programeve për diversitet dhe përfshirje, si komandanti i forcave SEAL, kontradmirali Milton Sands, i shkarkuar në gusht pasi promovoi praninë e instruktoreve femra në trajnime.
Një tjetër, admirali Alvin Holsey, u detyrua të largohej pasi ngriti pikëpyetje mbi saktësinë e disa goditjeve vdekjeprurëse në Karaibe.
Në disa raste, shkarkimet kanë ardhur pas kritikave të figurave të ushtrisë në rrjetet sociale nga komentues të së djathtës ekstreme – një precedent që shumë e shohin si shenjë të politizimit në rritje të ushtrisë amerikane.
Megjithë kritikat, Hegseth mbron veprimet e tij si pjesë e “rindërtimit të frymës luftarake” dhe shkatërrimit të asaj që e quan “agjenda ideologjike e administratës Biden”.






