Nisën dhe po mbyllën si procesi zgjedhor më pa interes ndonjëherë në Shqipëri, por vendoret e këtij 9 nëntori një rekord e arritën, teksa rezultuan zgjedhjet me pjesëmarrjen më të ulët historike në vend.
Sipas shifrave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më pak se 18.5% e votuesve i janë thirrur apelit për të zgjedhur kryetarët e bashkive më Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, një përqindje shumë e vogël edhe se pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të vitit 2019, kur nuk kishte garë, pasi opozita kishte bojkotuar.
Bashkia e Vlorës, me mbi 177 mijë votuesit në lista, përbënte më shumë se gjysmën e votuesve të të pesta bashkive, por vetëm 12.5% e vlonjatëve u paraqitën para kutive të votimit, duke shënuar një rekord më vetë.
Pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e ulët edhe në Bashkinë e Beratit, e dyta më e madhe nga 5 që zgjedhin kryebashkiakët e rinj. As 20% e beratasve kanë marrë pjesë në votimet e kësaj të diele, edhe këtu më pak se rekordi i vitit 2019, kur morën pjesë 22%.
Në Cërrik pjesëmarrja është 24.8%, ndërsa të vetmet bashki ku pjesëmarrja e ka kaluar 1/3 e votuesve janë Tepelena dhe Mati, respektivisht 34.6% dhe 39.2% e votuesve.
Ironikisht mund të thuhet se këto zgjedhje u “shpëtuan” prej pensionistëve. Në të pesta bashkitë grupmosha që ka pasur përqindjen më të madhe në pjesëmarrje është ajo mbi 65 vjeç, ndërsa mbi 55-vjeçarët përbëjnë më shumë se gjysmën e atyre që kanë votuar këtë 9 nëntor.
Shifër për t’u veçuar sërish në Vlorë, ku mbi 80% e pensionistëve kanë votuar ndërsa mes 18-24 vjeçarëve kanë marrë pjesë më pak se 8% e tyre.
Ndryshe nga ky 18-vjeçar, të rinjtë janë grumpmosha me pjesëmarrjen më të ulët në të pesta bashkitë. Përveç Vlorës edhe në Berat 18-24 vjeçarët janë më indiferentët, ndërsa në Mat, Cërrik dhe Tepelenë përqindja më e vogël regjistrohet nga 25-34 vjeçarët.
Zakonisht në zgjedhje të pjesshme pjesëmarrja është më e ulët, por fushata inekzistente e këtyre votimeve, apatia e partive politike dhe kandidatëve por edhe fakti që opozita zgjodhi të fshihej pas të pavarurve duke mos pasur kandidat të sajit të deklaruar e ka shtuar mosinteresimin.
Për Celibashin vendosja e një dyshemeje pjesëmarrjeje që zgjedhjet të konsiderohen legjitime është çështje e politikës, por për të edhe bojkoti është shprehje vullneti.
“Ka vende që e kanë, ka vende që nuk e kanë. Nëse 12% në Vlorë kanë dashur të merrnin pjesë ky është vullneti i tyre. Kjo nuk i bën zgjedhjet ilegjitime në mënyrë absolute”, tha Celibashi.
Kryebashkiakët e zgjedhur këtë të diel do të kenë një mandat të kufizuar deri në zgjedhjet vendore të pranverës 2027-s.
Procesi i votimit
Procesi i votimit ishte i qetë, me probleme sporadike. Vetëm 19% e qendrave u hapën me pak vonesë, ndërsa në 3 QV pati probleme me mungesën e komisionerëve të PD, por situata u zgjidh. Në të gjitha qendrat u aplikua identifikimi elektronik.
Në Mat, deputetja e PD, Denisa Vata hodhi akuza se po intimidoheshin zgjedhësit, por kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se u bënë të gjitha verifikimet dhe ka rezultuar se nuk ka pasur as pretendime nga partitë për shkelje. Edhe në Cërrik, Policia e Shtetit përgënjeshtroi pretendimet e kandidatit të Shqipëria Bëhet, Eligert Hima se po intimidohen zgjedhësit.
Në këto zgjedhje, PD e Berishës dhe aleatët nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjera.
Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.






