Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 5 nga 18 komunat që shkuan në balotazh. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Aleancs për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj fituan nga 4 komuna. Partia Demokratike e Kosovës arriti të fitojë në 3 komuna. Komuna me shumicë serbe e Kllokotit u fitua nga Lista Serbe, ndërsa komuna e minoritetit turk, Mamusha, u fitua nga KDTP.
Konkretisht, në Prishtinë fitues doli sërish Përparim Rama i LDK-së me 51.5% të votave, ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, merr 46,5 për qind. Në Gjilan, Alban Hyseni nga Vetëvendosje pritet të fitojë me 61,1 për qind, kundrejt Arbër Ismajlit të LDK-së që ka 38.9 për qind.
Në Gjakovë, Ardian Gjini i AAK-së fitoi me 56 për qind përballë Ardian Golës nga Vetëvendosje, që ka 44 për qind. Në Pejë, Gazmend Muhaxheri i LDK-së fitoi me 61.1 për qind të votave, ndërsa kandidati i Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi, ka 39.9 për qind.
Në Mitrovicë jugore, Faton Peci i Vetëvendosjes është fitues me 53.5 për qind. ndërsa Arian Tahiri nga PDK mori me 46.5 për qind. Në Fushë-Kosovë, fitues del Valon Prebreza i Vetëvendosjes me 55 për qind të votave, përballë Besnik Osmanit të LDK-së që ka 45 për qind.
Ndërkaq në Prizren, Shaqir Totaj nga PDK-ja e rimerr udhëheqjen e komunës me 53.9 për qind, kundrejt kandidatit të Vetëvendosjes, Artan Abrashi, që ka 46.1 për qind.
Në Vushtri, Ferit Idrizi i PDK-së fitoi me 54.3% të votave, duke mposhtur Sulejman Mehollin e Lëvizjes Vetëvendojse me 45.7%. Rahoveci u fitua nga Smajl Latifi i AAK-së me 53% të votave, përballë Ali Dudës së Lëvizjes Vetëvdosje i cili mori 47%.
Komuna e Vitit është fituar nga Sokol Hliti i LDK-së me 50.6%, përvballë Asim Ademit të Lëvizjes Vetëvendosje me 49.4%.
Garën pa balotazh e përmbyllën: Agim Aliu i PDK-së në Ferizaj, Imri Ahmeti i LDK-së në Lipjan, Kadri Rahimaj nga LVV-ja në Kamenicë, Bashkim Ramosaj i AAK-së në Deçan, Ilir Ferati i LDK-së në Istog, Shpejtim Bulliqi i LVV-së në Podujevë, Sami Lushtaku i PDK-së në Skënderaj, Ekrem Kastrati në Malishevë dhe Ramiz Lladrovci nga partia “Për Drenasin Kampion” me Ramiz Lladrovcin në Drenas.






