Ditën e sotme Komisioni i Pavarur i Kualifimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së lartë, Ardian Dvorani. Ai e priti me buzëqeshje vendimin e KPK-së, por bëri edhe një thirrje për të gjithë kolegët e tij që duhet të jenë në seancë pavarësisht vendimit.
Në fjalën e tij ai e vuri theksin te institucioni ku bën pjesë, pasi sipas Ardian Dvoranit situata në Gjykatën e Lartë është alarmante, pasi ky institucion ka mbetur me 6 anëtarë, ndërsa 24 mijë dosje janë për t’u shqyrtuar.
Fjala e Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani:
U paraqita në respekt të Kushtetutës dhe ligjit për t’u ballafaquar me komisionin personalisht dhe për të treguar të vërtetën. Gjyqtarët duhet të paraqiten kushdo qoftë vendimi. Ndihem mirë, që Komisioni e vlerësoi karrierën time dhe mënyrën e jetesës si pozitive dhe kjo më bën të përmirësohem edhe më tej në të ardhmen.
Gjykata e Lartë është në vështirësi objektive, pasi numri i gjyqtarëve nuk ka qenë i plotë, në vitin e fundit është i përgjysmuar dhe në këto momente, pasi disa nga kolegët janë të pezulluar dhe numri është i kufizuar. Ne po bëjmë të pamundurën për të përballur ngarkesën.
Por situata është alarmante, zgjidhjet nuk mund t’i japë gjykata e Lartë, pasi nuk e plotëson ajo numrin e gjyqtarëve. Detyra jonë është që të gjykojmë çështjet emergjente, të zgjidhim ato që mund të zgjidhim.