PREÇ ZOGAJ
Shumë njerëz në Shqipëri e njohin Shpëtim Nazarkon si botues gazetash, si opinionist dhe analist politik. Ka që e njohin si shahist të talentuar, kampion i moshave të reja dikur, pjesëmarrës dhe fitues ndeshjesh të rëndësishme në turnetë që organizohen në ditët tona anembanë botës. Por pasioni i jetës së Nazarkos është Fizika. Të cilën e ka studiuar në thellësi si autodidakt. Duke qenë djali i madh i një familjeje të internuar nga regjimi komunist, atij i ishte mohuar e drejta për të shkuar në shkollë të lartë. Por lidhja e Nazarkos me Fizikën nuk ka qenë si e një autodidakti të zakonshëm. Ka qenë kuptimi dhe esenca e të jetuarit.
Nazarko i bëri vetë, individualisht, studimet e larta për Fizikë dhe Matematikë. Pengesa e regjistrimit me letra në universitet rezultoi një banalitet përballë dëshirës së tij për të hyrë thellë në të fshehtat e fizikës me një ritëm të tijin dhe me synime të tjera që nuk kishin lidhje me nevojën për të marrë një diplomë, për t’u bërë mësues apo pedagog. Një shpërblim i veçantë dhe i paharrueshëm i përpjekjeve të tij si student par exellance besoj ka qenë momenti kur gjatë një takimi me disa profesorë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. Rexhep Meidani, ish-dekan i këtij Fakulteti, i uroi mirëseardhjen dhe ftoi kolegët e tij ta pranojmë si njërin prej nesh në rrethin tonë.
Kjo ndodhi në vitin 1998, tetë vjet pas hapjes demokratike të vendit. Ishte një njohje pa të ngjashme e një diplome të lartë që nuk ishte marrë kurrë dhe s’mund të jepej më në rrugën dhe formën klasike. Ishte gjithashtu një rektifikim nga një pozicion intelektual dhe akademik i padrejtësisë që kishte pësuar në rininë e tij një nxënës ekselent, duke mos u lejuar të vazhdonte studimet e larta. Për mua, që kam qenë i pranishëm në atë takim, ai gjest i Rexhep Medianit, një prej fizikanëve me të shquar të vendit, ishte edhe një “ka diçka” dhe “ashtu qoftë” dhe “vazhdo” rreth një kërkimi të hershëm e të vazhdueshëm të Shpëtim Nazarkos në fushën e fizikës teorike, më konkretisht në një çështje të ndërlikuar që ka të bëjë me raportin e energjisë dhe masës.
Këtë kërkim Nazarko e ka menduar me bindje, qysh në fazën e feksjes, kur nuk ishte më shumë se njëzetvjeçar, si një zbulim. Dhe pastaj, gjithë vitet e jetës së tij kanë qenë dhe janë sot kësaj dite një rravgim i pagjasë për ta rrokur me thellë, për ta shtjelluar më mirë si zbulim, për ta përmbledhur, për ta debatuar me një numër të madh fizikanësh në Shqipëri dhe në botë, për të shkuar, si synim final, drejt njohjes dhe pranimit në aulat më autoritare të fushës. Rasti ka dashur të bëhem herët një lloj sekundanti i “duelit” të Nazarkos me “enigmën” në fjalë.
Unë isha emëruar gazetar në gazetën “Zëri i rinisë”, ai punonte në një ndërmarrje në Lushnjë. Fakti që njihte si pakkush Balzakun apo që arsyetonte në një mënyrë shumë origjinale për dukuritë e natyrës, shoqërisë dhe qenies, më shtynte të besoja në bazë të rregullit të korrelacioneve se ai nuk mund të ishte jashtë kufijve të lajthitjes krijuese e shkencore në Fizikë, se mund të kishte vërtet diçka në “feksjen” e tij, në atë që ai e quante Ligji i Ruajtjes së Energjisë. Njihja plot raste kur parashikimi, imagjinata, dija, zbulimi nuk ishin lidhur domosdo me diplomën, laboratorin, akademinë. Vetë Ajnshtajni kishte punuar në një zyrë patentash kur i kishte feksur Teoria e famshme e Relativitetit.
Pra s’kishte përse të çuditesha pse “po vriste aq lart”. Madje e merrnim me sportivitet kur Shpëtimi vinte herë pas here nga Lushnja në Tiranë për të mprehur thikën si kosore të ndërmarrjes ku punonte. Një rrugë e dy punë. Me këtë rast takonte pedagogë e njerëz të njohur të shkencave të natyrës. Disa prej këtyre njerëzve me kishin thënë një gjë: Nuk mund të shprehemi për pretendimin që ka autori, por është e qartë se ai e njeh në themel fizikën dhe po kërkon diçka që shkenca e fizikës në botë e kërkon prej dekadash.
Lidhjen midis makrofizikës dhe mikrofizikës, për të cilën kishte pasur një diskutim të madh mes Ajnshtajnit që kishte zbuluar Teorinë e përgjithshme të Relativitetit dhe nobelistit tjetër të madh Niels Bohrit, që njihej si babai i fizikës kuantike. Me një “certifikim” ekspertësh për njohuritë e Nazarkos, në vitin 1989 i kërkova kryeredaktorit të gazetës “Zëri i rinisë” të botonim në faqen e lajmeve dhe kurioziteteve shkencore, formulën e zbulimit të tij, atë që shohim në kopertinën e librit të tij që ilustron këtë shkrim.
Remzi Lani e botoi njoftimin që ka mbetur i shtypur, e zezë në të bardhë, si një bast i gjatë i asaj gazetë me të ardhmen: ka qenë një aventurë e jona si botues, apo dokumentimi i parë i një zbulimi të madh në fizikë. Më vonë, pas hapjes demokratike të vendit, Nazarko e ka thelluar kërkimin e tij, duke konsultuar botime dhe autorë të huaj që nuk kishte pasur mundësi t’i njihte në kohën e izolimit.
Një nga personalitet e larta që e ndihmoi për të kontaktuar njerëzit e duhur ishte ish-Kryeministri i Italisë, senatori i përjetshëm, Xhulio Andreoti, i cili e çoi te një prej fizikanëve me të njohur italianë, Nikola Kabibo, profesor i fizikës së grimcave elementare në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Prof. Kabibo nuk gjeti asnjë gabim në punimin e Nazarkos, por kërkoi vërtetime matematike të nivelit të lartë.
Disa herë më është dhënë rasti të shkoj me Nazarkon në takime të zakonshme dhe të çuditshme për punimin e tij. Herën e fundit para nja shtatë vjetësh në Romë, ku ai kishte menduar të takonte Monsinjor Vinçenso Palian, personalitet me njohje të gjera edhe në botën shkencore e akademike. Nazarko kishte avancuar ndërkohë në konsolidimin, lëmimin dhe paraqitjen e punimit edhe falë bashkëpunimit me Skënder Shehun, docent në fizikë.
Mbaj mend: Nazarko i shpjegonte Monsignorit Teorinë e tij të Unifikimit si një thjeshtim të kuptimit të fizikës. Monsinjori e dëgjonte me vëmendje të madhe. Në vizionin e tij për botën dhe të vërtetat e gjithësisë dukej si një gjë normale që një rreze e dritës së Zotit në universin e madh të kishte ndriçuar mendjen e një burri nga Shqipëria e vogël në planetin tonë të vogël. Për çudi, paraqitja grafike e prerjes së drejtëzave që tregonin energjinë dhe masën në formulën e Nazarkos tregonin formën e një kupe që të nxiste ta quaje kupa e Zotit.
Siç të nxiste vetë formula ta quaje grali i shenjtë. Vinçenso Palia mundësoi njohjen e Nazarkos me prof. Evandro Agaci, fizikan, matematikan dhe filozof i njohur italian, për shumë kohë kryetar i shoqatës botërore të Filozofisë së Shkencës. Prof. Agaci i gjeti të sakta dhe solide idetë e Nazarkos, por kërkoi një rafinim të mëtejshëm të tyre. Merr jetë në këtë fazë një strategji e re e Nazarkos për të promovuar teorinë e tij.
Së pari, fillimi i bashkëpunimit me prof. Arban Uka, një fizikan i ri formuar në një prej universiteteve më të mira të botës për fizikë, në Austin, Teksas të SHBA-ve. Veç të tjerash, me dijet e tij të thella dhe anglishten e tij të kulluar, prof. Uka do të ndihmonte në koncentrimin, përkthimin dhe paraqitjen e saktë të punimit.
Së dyti, pjesëmarrja në Konferenca të ndryshme ndërkombëtare, siç është për shembull, konferenca periodike e mirënjohur “Marcel Grossmann” ku shkencëtarë nga gjithë bota mblidhen për të prezantuar e diskutuar të rejat mbi zhvillimet në Relativitetin e Përgjithshëm Teorik dhe Eksperimental, mbi Gravitacionin dhe Teoritë Relativiste të Fushave.
Pikërisht në konferencën e 15-të të këtij formati të mbajtur në Romë në fillim të këtij muaji, ku morën pjesë njëmijë e dhjetë shkencëtarë nga gjithë bota, Nazarko paraqiti teorinë e tij dhe mori për herë të parë disa vlerësime publike nga njëri prej shkencëtarëve pjesëmarrës, prof.dr. Igor Bulzhenkov, ish-zëvendësrekori i Universitetit të Moskës, dalë nga Instituti i famshëm “Lebedev” që njihet për numrin e madh të nobelistëve, dymbëdhjetë, që ka nxjerrë. Duke folur gjerë e gjatë për punimin e Nazakos dhe bashkëpunëtorit të tij Uka (https:// yuotube.be/ctk-7sAN7ls), zoti Bulshenkov ka thënë disa gjëra që meritojnë të nënvizohen.
“Ishte e vështirë t’i kuptoje idetë e tyre, por unë isha i parapërgatitur”, thotë ai sepse kam lexuar punimet e shkencëtarit të njohur italian, Robero Oros di Bartini dhe të Luis de Brojl-it, (nobelist francez në fizikë) që ka disa punime mbi termodinamikën e një grimce të izoluar. “Kur takova dy studiuesit shqiptarë, menjëherë kuptova ngjashmërinë e punës së tyre me punën e Bartinit dhe me atë të Brojlit”, thotë Bulzhenkov.
Më tej, duke folur për konstanten e energjisë si esenca e kërkimit të Nazarkos: “Këta dy kërkues e thanë shumë qartë se kjo madhësi ndryshon me lëvizjen dhe duhet të ndryshojë, por energjia totale e sistemit, shuma e brendshme dhe e asaj të jashtme duhet të jetë konstante dhe ky është ndryshimi i tyre me Ajnshtajnin. Unë jam absolutisht dakord me këtë ide”. “Problemi është si ta prezantosh këtë ide”, thekson ai më tej, “sepse komuniteti duhet ta kuptojë. Kur një ide është shumë përpara asaj që ne kemi pranuar, shumë nuk do ta pranojnë përveçse nëse ka evidencë eksperimentale. Ajnshtajni u mbështet nga Planku ose përndryshe nuk do të dëgjonim rreth tij. Ka një arsye për këtë, komuniteti është shumë rezistent ndaj ideve të reja”.
Në fund të intervistës së tij, prof. Bulzhenkov u jep Nazarkos dhe Ukës dy rekomandime se si mund të shkojnë përpara. Ai kërkon të bëhet një thirrje ndërkombëtare për bashkëpunim. Lidhur më këtë, kërkon testimin e teorisë përmes një eksperimenti. Janë rekomandime domethënë që pohojnë vlerën e punimit dhe konsiderojnë rrethanat dhe kushtet në kohën që jetojmë që do të çonin në bankoprovën e shqyrtimit final qoftë të ligjit të ruajtjes së energjisë, qoftë të teorisë së unifikimit të makrofizikës dhe mikrofizikës dhe reduktimit të të gjitha konstanteve të derisotme të fizikës në tri konstante natyrore, që janë mëtimet e mëdha të fizikanit Nazarko.
Është e jashtëzakonshme që ai dhe bashkëpunëtori i tij, prof. Uka e kanë sjellë me forcat e tyre deri në këtë nivel promovimin e punës së tyre shkencore. Është impresionuese ndërkaq, që ndërsa vendi ynë i vogël mbytet në prushimin e lajmeve, shumica pa asnjë vlerë, dy bashkatdhetarët tanë referojnë në një konferencë ndërkombëtare nga më autoritaret e fizikës dhe shkencave të natyrës dhe marrim atje njohjet dhe inkurajimet e para shkencore me peshë.
Në këtë fazë të avancimit të punimit të Nazarkos thirrja ndërkombëtare nuk mund të jetë më vetëm e tij dhe e bashkëpunëtorit të tij, prof. Ukës. Institucionet tona shkencore-akademike mund të marrin shënim dhe të angazhohen për aq sa munden në emër të solidaritetit dhe vlerës publike që po regjistron ideja e madhe e zhvilluar si teori e Shpëtim Nazarkos.