Monika Marku, 21 vjeçe dhe Suate Çeloaliaj, 25 vjeçe kanë rënë në prangat e policisë së kryeqyetit pasi tre ditë më parë së bashku me tre të tjerë morën peng një 27-vjeçar. Ndërkohë në kërkim vijon të jetë Klajdi Limani njëri nga bashkëpunëtorët.
Më 10 nëntor të 5 rinjtë morën peng për disa orë 27-vjeçarin në Tiranë dhe e dhunuan fizikisht në një apartament.
Sipas policisë, 2 nga të arrestuarit vetëm pak pas ngjarjes, Lusjan Kimza dhe Asmireld Nimani, 24-vjeçarë si dhe 3 bashkëpunëtorët, arritën që përmes dhunës dhe presionit ta detyrojnë të riun të shkojë në banesën e tij dhe të marrë 5000 euro, të cilat u gjetën në dhomën ku ai mbahej. Edhe pasi 27-vjeçari u dha paratë, ata e kërcënuan t’u japë edhe 5 mijë euro të tjera.
Suate Çeloaliaj sipas raportimeve kishte pasur një lidhje dashurie me 27-vjeçarin dhe njëkohësisht edhe me Lusjan Kimzën. Ky i fundit pa se e dashura fliste me mesazhe me 27-vjecarin dhe kërkoi t’i merrnin atij para. Ishte pikërisht 25-vjeçarja e cila u përdor si karrem për të nxjerrë në takim 27-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të operacionit policor të koduar “Kufizimi”, i zhvilluar 3 ditë më parë nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 shtetas, janë kryer kontrolle për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Si rezultat, u vunë në pranga shtetaset M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet dyshohet se këto 2 shtetase, 2 shtetasit e arrestuar gjatë operacionit dhe shtetasi në kërkim K. N., kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit, duke i hequr lirinë, për disa orë, dhe duke e dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti.
Punohet për kapjen e shtetasit K. N.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme.






