Në intervistën për “Opinion”, ku Valon Ademi tregoi versionin e tij për aeroportin e Vlorës, ai zbuloi momentin e prishjes së raporteve me Behgjet Pacollin. Ademi thotë se marrëdhënia u thye në maj të këtij viti prej një projekti në Libi.
Blendi Fevziu: Kur ka ndodhur thyerja juaj? Në cilën kohë? Kur doli çështja e aksioneve? Më herët, më vonë?
Valon Ademi: Unë me z. Pacolli u prisha në maj të këtij viti.
Blendi Fevziu: Pse?
Valon Ademi: Është ai projekti në Bengazi, i Libisë. Atje bëri një veprim Behgjet Pacolli. Unë nga atje kuptova diçka të madhe. Behgjet Pacolli merr në telefon njeriun tim atje dhe më thotë do të dalësh ti te kompania ime.
Ademi pretendon se ky ishte një skenar, teksa shton: “A e kupton ti ku shkova unë me z. Pacolli? Unë kam shkuar e kam takuar në Lugano pasi ishte sëmurë, unë në makinë me të, ai fillo qaj dy orë në makinë duke thënë që të gjithë ma bëjnë të padrejtë dhe unë i besoja, kaq është shumë e thjeshtë!”
***
Ose unë si hajdut në burg, ose…
Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, dy ortakët për aeroportin e Vlorës janë ankimuar në Prokurorinë e Tiranës lidhur me çështjen. Ademi thotë se ka një pritshmëri nga prokuroria.
Blendi Fevziu: Çfarë prisni nga prokuroria?
Valon Ademi: Nga prokuroria ose duhet të shkoj unë si hajdut në burg, ose duhet të shkojë ai si mashtrues.
Blendi Fevziu: Por mund të zgjidhet edhe pa burg kjo, bini dakord, ndani aksionet në bazë të investimit.
Valon Ademi: Ah, nëse prokuroria shqiptare merret me bie dakord ai, në rregull.
Blendi Fevziu: Ti pret o ai, o ti.
Valon Ademi: Unë e kam kallëzuar Behgjet Pacollin në prokurori për mashtrues. Ai më ka kallëzuar, kundërpadi, pra në këto kushte ose do të duhet të përgjigjem unë penalisht për vjedhje, mashtrim, ku e di unë, ose duhet të përgjigjet ai për mashtrim.
Por, Ademi thekson se ka një mënyrë që mes tij e Pacollit marrëdhënia të funksionojë.
Valon Ademi: Absolutisht ka vend që unë të vazhdoj të funksionoj me z. Pacolli. Ka vend, por me Compartment Berninën, kurrë.
Blendi Fevziu: Po me Pacollin ka vend.
Valon Ademi: Por s’është më i shkreti, iku.
Sa i takon këtij konflikti mes aksionerësh që ka përfunduar në dyert e Prokurorisë, është diskutuar në “Opinion” , edhe më 20 tetor. Kompania Mabco Constructions SA, e përfaqësuar nga Behgjet Pacolli, e cila ka aktualisht të regjistruara 98% të aksioneve, pretendohet se ka marrë kredi nga një grup i panjohur, që në kushtet e kontratës merr në dorë Aeroportin e Vlorës.
Pse ikën turqit? Valon Ademi e thotë prerë: Nuk donin të investonin
Një nga pikat ku ai u ndal gjatë intervistës me Blendi Fevziun ishte largimi i aksionerëve turq. Sipas Ademit, ata nuk donin të investonin, çka u bë e qartë edhe në një mbledhje të asamblesë të thirrur prej tij.
Blendi Fevziu: Një nga problemet e tjera ishte largimi i turqve. Pse ikën turqit?
Valon Ademi: Unë isha dëshmitar sepse thirra një mbledhje të aksionerëve Blendi sepse nuk po investonte asnjëri nga ata, ndërkohë që ne do të duhej të fillonim punën. Ministria na bënte presion vazhdoni punën, këta jo po do të shikojmë ne, do të bëjmë ne, ndërkohë që unë kisha sjellë makineritë, stafin.
Blendi Fevziu: Po pse ikën turqit?
Valon Ademi: Nuk donin të investonin.
Blendi Fevziu: Pse kishin hyrë në kompani kur s’donin të investonin?
Valon Ademi: Nuk di ta them.
Blendi Fevziu: Kjo është ajo pika e errët e turqve që tregon që këta realisht kanë ardhur për të marrë ato lekët dhe ikën. Erdhën, kishin edhe një lidhje me spitalin e Fierit…
Valon Ademi: Cilat lekë?
Blendi Fevziu: 3 milionë euro.
Valon Ademi: Kush ia dha këto 3 milionë euro, z. Pacolli?
Blendi Fevziu: Po.
Valon Ademi: Nga ia dha?
Blendi Fevziu: Nuk e di nga ia ka dhënë. Kompania turke është larguar pasi ka marrë një shumë dhe nuk ka bërë asnjë ditë punë dhe nuk ka derdhur asnjë lek që tregon që ka qenë fiktive se po të donte të operonte me aeroportin siç kërkonte në bazë të koncensionit, kompania do të qëndronte dhe do të administronte koncensionin.
Valon Ademi: Llafet e Pacollit e bëjnë fiktiv turkun, ndërkohë që dokumentacioni, letrat, thonë që turkut iu blenë 4 mijë euro aksione.
Blendi Fevziu: Ato janë aksionet nominale.
Valon Ademi: O Blendi, a e kupton që në vitin 2021 nuk donin të të jepnin as banka, nuk donin të të shikonin njerëzit, çfarë janë këta budallenj që investojnë në aeroportin e Vlorës?
Blendi Fevziu: Pse ikën turqit?
Valon Ademi: Se ndoshta kishin frikë, ndoshta s’kishin lekë. Nuk e di. Por në mbledhje të asamblesë, e thirrur nga unë, përfaqësuesi i kompanisë YDA thotë ne nuk mund të investojmë në këtë projekt. Kaq, shumë e thjeshtë.
“O vëlla, e ka shit o Blendi” – Ademi: Aeroporti i Vlorës është marrë me dhunë!
Biznesmeni Valon Ademi pretendon se ka investuar në projektin për aeroportin e Vlorës, që në ditën e parë. Ai deklaroi se “kompania turke YDA Group dhe ajo e Behgjet Pacollit (Mabetex) kishin frikë të investonin”.
“Investimi në atë projekt ka nisur që nga dita e parë, këtu edhe garancinë e kontratës e kam paguar unë. Aviacioni në vitin 2021 ishte në një krizë, që kujtdo t’i thoje që do investoj, të shikonin si budalla. Ata (Pacolli dhe kompania turke) nuk e donin këtë projekt. Madje kishin frikë sepse kishte rrisqe të larta”, tregoi Ademi.
“Unë kam të gjithë dokumentacionin, faturat, librat ndërtimorë, sepse aty nuk është Netflix, është një kompani që ka investuar afërsisht 25 milion euro, kryesisht në infrastrukturën e pistës me aksesorët rreth e rrotull”, u shpreh ai…
Po kush e garantoi kredinë?
“Garantuam ne me çfarëdo që kemi dhe u kërkua një kolateral shtesë tranzitor deri në përfundim të ndërtimit, për t’u siguruar banka që lekët do shkojnë te aeroporti. Të 56 milionët janë investuar te aeroporti. Ai ka problem, se unë s’kam as te kredia problem.”
Sipas Ademit, aeroporti i Vlorës do të hapet më 1 mars 2026, pavarësisht se situata duket tejet komplekse.
“Do e hapim në 1 mars. Do ulim avionin dhe do vazhdojmë operimet. Ne s’shesim bileta, e di çfarë kërkese ka Blendi?! Të hatashme, nga të gjitha kompanitë! Wizz Air, Ryanair, këto kompanitë low cost.”
Pse e denoncoi Pacollin në Prokurori?
“Mashtrim! O Blendi shitja e aeroportit o vëlla, e ka shit o Blendi”, u përgjigj Ademi.
Sipas tij, Pacolli e ka shitur aeroportin e Vlorës.
“Kontrata e Delpho nuk është kontratë kredie, por marrje me dhunë! Problemi është kontrata e shitjes, marrje me dhunë e aeroportit. Ore nuk do e marrin! Kur lexon kontratën thua ore kush është ky njeri që merr këtë lloj borxhi?! Compartment Bernina nuk e di njeri se kush është, ai do marrë aeroportin. Inshallah nuk janë rusë, se do dalë edhe tradhtar, deri këtu është në nivelin e mashtrimit. Po na doli rusi, do dalë edhe tradhtar ky. Delpho nuk është bankë!”, tha Ademi.






